E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, 40 mijë euro për të bllokuarit

Carola Müller Holtkemper

Qeveria gjermane ka akorduar një fond ndihmash me një vlerë prej 40 mijë euro për banorët e prekur nga dëbora e madhe e muajit shkurt. Këto ndihma ushqimore janë vënë në dispozicion të Kryqit të Kuq Shqiptar dhe po shpërndahen në zonat që kanë qenë të bllokuara. Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Müller Holtkemper ishte në Kukës ku në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar ka shprëndarë personalisht një sasi ndihmash ushqimore për banorët e komunës së Topojanit. Holtkemper vizitoi edhe shtabin e Emergjencës ku është pritur nga prefekti i Qarkut Elez Maçi.

Prefekti Maçi, falënderoi ambasadoren gjermane dhe shtetin që ajo përfaqëson për ndihmën e dhënë në këto ditë të vështira të shkaktuara nga moti i keq. Ndërkohë që kryediplomatja  gjermane në Shqipëri i është përgjigjur interesimit të medias për mundësinë e marrjes së ftesës së vendit  kandidat  për në BE të Serbisë, pavarësisht kundërshtive të forta të Gjermanisë dhe kancelares Merkel.

Pozicioni kritik që ka Gjermania për aplikimin e Serbisë për në BE ka të bëjë me politikën që ndjek Serbia në rajon në tërësi. Por ne jemi pozicionuar për kompromisin, jemi pozicionuar gjithmonë për zgjidhje të arsyeshme ku të merret parasysh kompromisi, u përgjigj ambasadorja.

Ndërkohë që numri një i diplomacisë gjermane në Tirana ka theksuar se vendimet e përbashkëta të Këshillit të Ministrave të BE-së merren me kompromis ku në BE ky koncept është mjaft i rëndësishëm. Megjithatë, Holtkemper, për rastin e pranimit të Serbisë si vend kandidat për në BE, iu referua kritereve të Kopenhagenit.

Nga ana tjetër ka edhe disa kritere. Janë të mirënjohura kriteret e Kopenhagenit të cilat do të përmbushen. Vetëm pas kësaj do ti jepet statusi i vendit kandidat Serbisë, deklaroi Holtkemper. /Bashkim Shala/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›