E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i furrës dhunon inspektorin

BERAT - Inspektimi i furrave të bukës për nxjerrjen e produktit në treg paketuar vetëm me letër është bërë shkak për grindjen mes pronarit të një furre dhe inspektorit të ushqimit, grindje gjatë të cilës ky i fundit është dhunuar fizikisht.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Beratit ku përgjegjësi i Inspektoriatit të Ushqimit, në Drejtorin Rajonale Berat, Alfred Hoxha ka rënë preh e dhunës nga pronari i një furre buke. Inspektori Hoxha, ka denoncuar në polici dhunën që është ushtruar ndaj tij në kohën që ka qenë duke kryer kontrollin e furrave të bukës.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë me dije se inspektori Hoxha ka bërë denoncimin në organin blu, pasi gjatë kohës që kryente inspektimin e furrës së bukës pronë e familjes Lala, në lagjen Donika Kastrioti të qytetit të Beratit është dhunuar nga pronari Aurel Lala. Mes pronarit të furrës së bukës 38 vjeçarit Lala dhe inspektorit Hoxha mësohet se ka nisur një debat në lidhje me mosrespektimin e rregullave të reja të inspektoriatit për tregtimin e produktit të bukës me ambalazhim prej letre.

E ndërsa, inspektori Hoxha ka kërkuar shpjegime në lidhje me tregtimin e bukës me ambalazh prej qese pronari ka nisur të kundërshtoj dhe në grindje e sipër mësohet se ka dhunuar inspektorin. Menjëherë pas mbërritjes së denoncimit, uniformat blu kanë bërë arrestimin e pronarit të furrës së bukës Aurel Lala, i cili do të përballet me veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. /Erjola Azizolli/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›