E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania: Mbështetje shqiptarëve që të jenë zyrtarisht sa më shpejt pjesë e BE Presidenti Topi gjatë pritjes zyrtare nga Presidenti Këler, në Berlin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacionin që e shoqëron, u pritën sot paradite nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Horst Këler dhe Zonja e Parë, në mjediset e Ndërtesës Presidenciale, në Kështjellën “Shlos Belvju”. Në delegacionin shqiptar bëjnë pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, deputeti i Kuvendit, Gazmend Oketa, Zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi. Pas kalimit në revistë të trupave ushtarake dhe ekzekutimit të himneve kombëtare, Presidenti Topi dhe Presidenti Këler, zhvilluan një takim të përzemërt e miqësor, gjatë të cilit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona si dhe bashkëpunimi shumëpalësh në të gjitha fushat. Gjatë takimit, Presidenti Topi theksoi faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë si një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj. Ai bëri një pasqyrë të shkurtër mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe të zhvillimeve të brendshme, ku nënvizoi veçanërisht rëndësinë e riinstalimit të dialogut politik në vend mes mazhorancës dhe opozitës dhe e bashkëpunimit për reformat e rëndësishme, për të ruajtur vazhdimësinë e rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e aspiratave integruese të mbarë popullit shqiptar. Nga ana e tij, Presidenti gjerman Këler, shprehu besimin në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok dhe vuri në dukje se shkëmbimi i vizitave i niveleve më të larta kontribuon në rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik. Kreu i shtetit gjerman vuri në dukje mbështetjen që vendi i tij ka dhënë për Shqipërinë duke e siguruar Presidentin Topi se kjo do të vazhdojë në mënyrë që populli shqiptar të bëhet pjesë edhe zyrtarisht sa më shpejt e familjes së madhe evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›