E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton dy projektligje të propozuara nga Ministria e Jashtme Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot dy projektligje të rëndësishme. Një projektligj është “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për ndihmën e ndërsjellë në raste katastrofash ose fatkeqësisht të mëdha”. Ndërsa projektligji i dytë “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Letonisë, për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve”. Dy projektligjet janë propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë ka si qëllim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e ndihmës në rastet e katastrofave ose fatkeqësive të mëdha ndërmjet palëve nënshkruese. Pasi u njohën me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje, anëtarët e Komisionit të Ligjeve miratuan projektligjin duke e kaluar atë për miratim në seancë plenare. Ndërkohë që projektligji tjetër, për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Letonisë, ka si qëllim bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike, etj. Ky projektligj synon harmonizimin dhe forcimin e luftës kundër krimit në përgjithësi dhe përcakton fushat e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit për identifikimin e grupeve terroriste, parandalimin e akteve të mundshme terroriste si dhe shkëmbimin e eksperiencave të bashkëveprimit në përputhje me legjislacionet respektive të të dyja vendeve. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve u njohën me detajet e kësaj marrëveshjeje dhe më pas e miratuan atë duke e kaluar për votim në seancën plenare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›