E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, Meta takon sekretaren e Shtetit, Kop: Do të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik



Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Gjermani është takuar edhe me sekretaren e Shtetit, Gudrun Kop. Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, mbi perspektivën e tij dhe mbi nxitjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri dhe rajon. Sekretarja e Shtetit, Kop, pasi vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë ekonomik prej dy dekadash midis dy vendeve, bëri një vlerësim të veçantë ndaj politikës së jashtme shqiptare, e cila po kombinohet në mënyrë efikase me politikat zhvillimore dhe tregtare të vendit. Sekretarja Kop shprehu gatishmërinë e qeverisë gjermane për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë, duke e fokusuar vëmendjen në fushat e infrastrukturës, energjisë së rinovueshme, arsimit dhe trajnimit profesional. Në këtë kuadër ajo vlerësoi masat e marra nga qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin, si një nevojë për të tërhequr investime të reja dhe për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Ministri Meta, pasi shprehu mirënjohjen për kontributin e madh të Gjermanisë gjatë 20 viteve të fundit ndaj zhvillimit të disa sektorëve strategjikë në Shqipëri, e njohu znj. Kop me ndryshimet e mëdha që vendi ka përjetuar gjatë viteve të fundit si në drejtim të përshtatjes së legjislacionit me BE-në, ashtu edhe në zhvillimin e infrastrukturës së brendshme dhe asaj që e lidh me vendet fqinje. Duke vënë në dukje bashkëpunimin shumë të mirë ekonomik mes dy qeverive, Meta shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të inkurajuar më shumë kompani gjermane të investojnë në Shqipëri. Në këtë kontekst, ai theksoi potencialet e mëdha të vendit për investitorët gjermanë duke vënë në dukje se Shqipëria është një vend strategjik në Ballkanin Perëndimor dhe se përmes saj, investimet gjermane mund të fitojnë një dimension rajonal. Meta dhe Kop ranë dakord për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral ekonomik dhe për nxitjen konkrete të investimeve të reja përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta promovuese në Shqipëri dhe në Gjermani. Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Meta u takua edhe me një grup deputetësh gjermanë të kryesuar nga Peter Weiss, kryetar i Grupit Parlamentar për Europën Juglindore. Gjithashtu, Meta u prit edhe nga presidentja e fondacionit “Friedrich Ebert”, Anke Fuchs. Në përfundim të vizitës së tij, Meta mori pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Shqipërisë për transportin detar.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›