E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëdhënësja e Eshton: “Bashkimi Europian pret zgjidhjen e krizës shqiptare”



Pas komisionerit për Zgjerimin ka reaguar dje edhe Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kathrin Eshton, e cila ka mbështetur iniciativën e Parlamentit Europian. “Në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij ngërçi politik dhe për të çuar përpara reformat që janë të domosdoshme për Shqipërinë që të bëjë progres drejt BE-së, tashmë e ka në dorë qeveria dhe opozita që të gjejnë zgjidhjet në mënyrë transparente e duke respektuar Kushtetutën e vendit”, - tha zëdhënësja e Eshton, Maja Kocijancic. Pyetjes se çfarë pasojash do të ketë në të kundërt për Shqipërinë, zëdhënësja theksoi se BE-ja është e shqetësuar për vazhdimin e ngërçit aktual politik, pasi nuk nxit klimën e nevojshme për të çuar përpara reformat që kërkohen. “Për këtë arsye mbështetëm iniciativën lehtësuese të Parlamentit Europian, e cila na vjen keq që nuk mundi të ndihmojë për të sjellë një zgjidhje, por, siç e thashë, tani varet nga qeveria dhe opozita që të gjejnë një rrugë bashkë se si të ecin përpara. Mesazhi ynë është i qartë: ne mbështetëm iniciativën e Parlamentit për të gjetur një zgjidhje. Tani u takon qeverisë dhe opozitës. Nevojitet që ata të punojnë bashkë për të përparuar”, - theksoi Kocijancic.

PDK: Prokuroria të zbardhë vrasjen e Aleks Kekës

Në 1-vjetorin e vrasjes së kryetarit të Partisë Demokristiane për rrethin e Malësisë së Madhe, Aleks Keka, PDK-ja u ka bërë apel institucioneve të Drejtësisë të zbardhin krimin. PDK-ja, duke e cilësuar vrasjen e Kekës si goditje të rëndë për demokristianët, ka theksuar se vrasësit janë ende të pandëshkuar nga Drejtësia. Sipas PDK-së, Keka u vra gjatë ushtrimit të detyrës së tij si politikan, prandaj institucionet janë përgjegjëse për moszbardhjen e krimit. PDK-ja gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të mos mbyllë kutitë, që sipas tyre, mbajnë peng vrasjen e politikanëve shqiptarë.

Regjistrim i ri i popullsisë, Lohan: “Të ruhet privatësia”

Instituti i Statistikave të Shqipërisë do të zhvillojë vitin e ardhshëm regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Në një seminar të organizuar për këtë qëllim, ambasadori i BE-së në Tiranë, Helmut Lohan, kërkoi që të bëhet shumë kujdes me ruajtjen e privatësisë.
“Regjistrimi i popullsisë është një proces shumë i rëndësishëm për vendin, por duhet të bëhet kujdes në ruajtjen e privatësisë që është shumë themelore në këtë proces. Është e rëndësishme ruajtja e privatësisë së personave që do të plotësojnë pyetësorin e të dhënave personale”, - tha Lohan. Ndërsa ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, tha se qëllimi kryesor i regjistrimit të popullsisë është që të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Buxheti total është parashikuar në vlerën prej 15 milionë euro.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›