E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Duhet të angazhohemi për kapërcimin e situatës absurde në vend”



Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, është shprehur gjatë një interviste dhënë Dojçe Veles në Gjermani, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se politika shqiptare duhet të angazhohet për t’i dhënë fund situatës absurde në vend. Ai ka garantuar, ndër të tjera, se qeveria dhe maxhoranca do të bëjnë gjithçka për të bashkëpunuar me opozitën. Sipas Metës, pretendimet dhe kërkesat e opozitës gjejnë zgjidhje vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ai ka theksuar se maxhoranca e ka bërë të qartë shpeshherë se është e gatshme të gjejë një marrëveshje konsensuale vetëm në përputhje me Kushtetutën e vendit. Këtë deklaratë Meta e ka bërë pas takimit që zhvilloi me homologun e tij gjerman, Westerwelle, i cili i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të gjejë një zgjidhje të menjëhershme të krizës politike në vend.

Zoti Meta, sapo përfunduat takimin e parë zyrtar me ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Cila ishte përshtypja juaj?
Besoj se ky takim zhvillohet në një atmosferë tepër bashkëpunuese dhe intensive të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ai konfirmon raportet shumë të mira në planin politik dhe ekonomik midis dy vendeve. Gjatë këtij takimi u konfirmua mbështetja gjermane për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, njëkohësisht dhe mbështetja gjermane për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo Komisioni të njoftojë për përmbushjen e të gjitha kushteve nga ana e vendit tonë.

Njëri prej tyre është stabiliteti i brendshëm politik...
Natyrisht që ne diskutuam edhe për rëndësinë e mirëfunksionimit të Parlamentit, forcimit të dialogut politik midis maxhorancës dhe opozitës. Unë e kam siguruar ministrin Westerwelle se qeveria dhe maxhoranca do të bëjnë gjithçka për të bashkëpunuar me opozitën për t'u dhënë edhe zgjidhje gjithë pretendimeve të opozitës, por gjithnjë në respekt të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit.

Pra ju nuk mendoni se ka ndonjë shans që kriza të zgjidhet me konsensus politik?
Maxhoranca e ka bërë të qartë se është e gatshme të tolerojë dhe të plotësojë shumë nga kërkesat e opozitës, sikurse ka bërë deri tani, që nuk cenojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Fakti që maxhoranca e ka pranuar prej kohësh për t'i garantuar shumicën e komisionit parlamentar opozitës, për t'i dhënë drejtimin e këtij komisioni, për t'i dhënë njëkohësisht edhe rolin kryesor për të formuluar reformën e ardhshme zgjedhore, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mos përsërisin ato mangësi të vërejtura nga zgjedhjet e fundit, dëshmon se vullneti ka qenë dhe mbetet i padiskutuar nga ana e maxhorancës për të punuar në mënyrë konstruktive me opozitën.

Edhe dy partitë më të mëdha të Parlamentit Europian kanë apeluar së fundi për një zgjidhje politike. Cili është mendimi juaj?
Jam plotësisht dakord me thirrjen e tyre dhe besoj se të gjithë duhet të angazhohen për të mos shpërdoruar angazhimin e tyre tepër konstruktiv për të mundësuar kapërcimin e një situate absurde.

Ju biseduat me homologun tuaj edhe për situatën në rajon...?
Po, tema ishte sidomos takimi i nivelit të lartë i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Kam nënvizuar rëndësinë që Shqipëria i kushton përmirësimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit tonë dhe veç bashkëpunimit rajonal, rëndësia që Shqipëria i kushton mbështetjes në radhë të parë të një Kosove europiane e që nesër do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, dhe kemi ndarë të njëjtën bindje, se të gjitha çështjet bilaterale duhen zgjidhur në rajonin tonë në frymën dhe shpirtin europian.

Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë, Albin Kurti, tani ka hyrë në politikën partiake dhe pati deklaruar se do të angazhohet që të drejtat e serbëve në Kosovë t'i kenë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës e të Greqisë. Si e shihni ju këtë çështje?
Angazhimi i qeverisë shqiptare është tepër evident për të drejta e gjithë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë jashtë Shqipërisë. Ky angazhim ka qenë shumë i veçantë për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët pata kënaqësinë t'i vizitoja gjatë muajit mars, dhe absolutisht të njëjtën gjë do të bëjmë gjithmonë edhe për pakicat e tjera në vendin tonë. Ky është qëndrimi ynë, edhe për minoritetin serb në Kosovë dhe pakicat kudo, sepse të gjitha kombet tona në Ballkan diku janë shumicë dhe diku janë pakicë, dhe e vetmja rrugë për të lënë pas njëherë e mirë konfliktet është që të gjithë të aplikojmë të njëjtat standarde për pakicat kudo ku janë, standardet europiane.

Të njëjtat të drejta si ato të serbëve në Kosovë?
Kjo është një çështje tjetër. Ne mendojmë se diskriminimi pozitiv i serbëve në Kosovë është një alternativë për t'i integruar ata më mirë në institucionet e vendit dhe për t'i dhënë një zgjidhje përfundimtare të pranuar edhe nga Beogradi pavarësisë dhe shtetit të ri të Kosovës, e cila natyrisht nuk mund të ndodhë brenda një dite.

Marrë nga “Dojçe Vele”

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›