Gjermania, as Bekenbauer sbeson: Spanja dhe Brazili janë favoritët
Nuk e beson as ikona e futbollit gjerman. Për Franc Bekenbauer, Gjermania nuk është mes dy skuadrave më favorite për Botërorin e ardhshëm të futbollit, që do të mbahet nga 11 qershori deri më 11 korrik në Afrikën e Jugut. Në fakt, presidenti i nderit te Bajerni i Mynihut dhe ish-lojtari i famshëm i Gjermanisë, shikon përpara skuadrës së vendit të tij dhe gjithë të tjerëve, Brazilin dhe Spanjën: “Nuk e di nëse do të luajnë kundër njëra-tjetrës në finalen e madhe, por sipas mendimit tim, ato janë dy skuadrat më të forta. Kampionët e Europës luajnë një futboll spektakolar dhe janë një ekip shumë i organizuar. Ndërsa Brazili duhet të merret gjithmonë në konsideratë. Spanja, mes të tjerave, do të fitojë me lehtësi grupin e saj, pasi për Kilin do të jetë gati e pamundur të renditet para ‘Furisë së Kuqe’”. Gjithsesi, Bekenbaueri, i cili ka mundur të shpallet dy herë kampionë bote me Gjermaninë (në 1974 si kapiten dhe në 1990 si trajneri i Kombëtares së vendit të tij), beson shumë se skuadra e trajnerit Johakim Lëv do të mund të luajë një rol të rëndësishëm në Botërorin e Afrikës së Jugut. Rezultatet pozitive në dy ndeshjet miqësore në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për kompeticionin më të madh në botë, ndaj Hungarisë (3:0) dhe ndaj Bosnjë-Hercegovinës (3:1), i kanë bërë “shumë përshtypje” atij. Sipas tij, Gjermania ishte në nivelin e saj tradicional, por që ka për detyrë të përmirësohet ende. “Këtë e dinë edhe konkurrentët tanë”, sqaroi ai. Ndërkohë që presidenti i nderit të klubit të Bajernit të Mynihut nuk mundet ta fshehë trishtimin e madh në lidhje me dëmtimet e shumta të skuadrës gjermane, mbi të gjitha atë të kapitenit Mikael Balak. “Një Botëror është skena më e madhe e futbollit ndërkombëtar dhe atje do të mungojë një tip si Mikael Balak. Sipas meje, ai u përket futbollistëve më të mirë dhe inspirues të botës, për skuadrën tonë do të jetë e vështirë të ecë përpara pa udhëheqësin e saj. Prandaj, Bekenbauer kërkon më shumë impenjim nga shokët e skuadrës së Balakut. Secili nga ata duhet të jetë i gatshëm “për të dhënë 10 për qind më shumë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë edhe ne do të kemi shanset tona”. Kjo kërkesë e Bekenbauerit i drejtohet si fillim lojtarit të Bajernit të Mynihut, Bastian Shvainshtaiger, i cili sipas tij duhet të luajë rolin e përcaktuesit: “Për Bajernin ai ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer. Unë mendoj, që ai, së bashku me Sami Khediran do të mund të harmonizohet mirë. Ata mund të luajnë një rol të madh”. Zëvendëspresidenti i Federatës Gjermane nuk do të ndjekë me interes jo vetëm disa, por të gjitha kombëtaret. Ai nuk pret ndonjë hap të madh në zhvillimin e futbollit në këtë Botëror: “hapa të mëdhenj u hodhën për shembull në vitet 1954 e 1966. Zhvillimet e pritshme mendoj se do të jenë të pakta”.
#