E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bill Klinton, në krye të ofensivës për njohjen e Kosovës

Një sektor i tërë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i ngarkuar me çështjen e Kosovës ndodhet në Lima. Diplomacia kosovare përballet me atë serbe në Peru

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një ofensivë diplomatike për njohjen e Kosovës, në të cilën është përfshirë edhe ish-presidenti amerikan, Bill Klinton. Siç raporton agjencia e lajmeve “FoNet”, duke u mbështetur në burimet diplomatike, një sektor i tërë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i ngarkuar me çështjen e Kosovës gjendet në kryeqytetin e Perusë, Lima, ku ka nisur sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve të Amerikës (OAS).
“Në Lima mëngjesin e së hënës ka arritur edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton, i cili, siç thonë burimet diplomatike, është përfshirë drejtpërdrejt në lobim për njohjet e reja të Kosovës”, raporton “FoNet”.
Ish-presidenti Klinton është i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Haitin dhe në këtë cilësi ai ka kohë që merr pjesë në takimet e OAS-së dhe konferencat e ndryshme të kontinentit amerikan.
Kjo agjenci, më tutje, shton se në Limë gjendet edhe një delegacion nga Kosova, i kryesuar nga zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora çitaku. 
Sipas burimeve të paemëruara diplomatike që citon agjencia “FoNet”, delegacioni i Kosovës nuk ka qasje në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OAS-it, por me ndihmën e amerikanëve dhe të përfaqësuesve të disa shteteve të tjera, megjithatë është duke mbajtur takime me palë të ndryshme pjesëmarrësve në këtë konferencë. Delegacioni i Kosovës qëndron në Limë me rekomandimin e SHBA-së dhe me përkrahjen logjistike të Perusë, e cila është një nga vendet e Amerikës Jugore që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan “FoNet”.
Në takimin e Limës merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili i ka thënë “FoNet”-it se Serbia po përballet “me një sfidë të madhe, meqë shtete kaq të mëdha, me nivel kaq të lartë, po lobojnë për pavarësinë e Kosovës”, duke iu referuar prezencës amerikane në Limë dhe ardhjes së ish-presidentit Klinton. Jeremiç tha se Serbia po përpiqet të parandalojë ndryshimin e qëndrimit të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas “FoNet”-it, burimet diplomatike kanë “shprehur habinë” pse në takimin e Limës delegacioni i SHBA-së përbëhet nga njerëz që janë të ngarkuar me çështjet e Kosovës, marrë parasysh që OAS-i është organizëm që merret kryesisht me problemet e shteteve të kontinentit amerikan.
Sipas raporteve, lobimi për njohjen e Kosovës është i përqendruar te vendet e Karaibeve, ndërsa thuhet se pritet që pas takimit në Lima, ish-presidenti Klinton të vizitojë disa prej vendeve të Karaibeve dhe të Amerikës Qendrore.
Kjo, shton “FoNet”, po interpretohet si lobim për njohjen e Kosovës nga këto vende në prag të publikimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është thënë se do të ndodhë më 22 korrik.
Sipas ministrit të Jashtëm serb, Jeremiç, Beogradi “deri më sot ka qenë i suksesshëm në këtë pjesë të botës” në pengimin e njohjeve të Kosovës, ndërsa ka thënë se mbetet të shihet se si do të ecin punët në të ardhmen, meqë “është vënë në lëvizje artileria e rëndë.
Sipas Jeremiçit, ka një ndarje mes vendeve të OAS-së për sa i përket Kosovës, me SHBA-në që udhëheq një grup vendesh në përkrahje të pavarësisë dhe me grupin tjetër që është kundër, të cilin e udhëheqin Brazili dhe Argjentina.
është hera e dytë për një kohë të shkurtër që një forum multilateral po bëhet skenë e lobimit ekstensiv për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pak kohë më parë, me ftesën e Francës, delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka marrë pjesë në Samitin Francë-Afrikë.
“FoNet” raporton se, sipas burimeve diplomatike, është e qartë që në pritje të opinionit të GJND-së të shtohet presioni nga shtetet e mëdha, si ç’janë Amerika dhe Franca, në shtetet e tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›