E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania ende shumë për të bërë mbi barazinë gjinore

Dita Ndërkombëtare e Gruas, mblidhen forumet dhe flasin deputetët gjermane. Në Gjermani shumë gra mendojnë se duhet të zgjedhin mes karrierës dhe fëmijëve
Ndonëse në Gjermani, në vështrim të parë, nuk vërehet diskriminim i gruas, sepse në vend është rregulluar me ligj barazia gjinore, në fakt ende ka probleme. Është e vërtetë që gratë në Gjermani kanë diploma me rezultate të mira në shkollë si dhe në profesion, ato bëhen inxhiniere, mjeke e politikane, madje aktualisht Gjermania drejtohet nga një kancelare. Megjithatë, gratë gjermane janë ende larg shanseve të barabarta. Ursula von der Leyen do të jetë një shembull, megjithatë ajo ende vazhdon të mbetet një pioniere. Fjala është për ministren për Çështjet e Familjes dhe të Gruas: ajo është nënë e shtatë fëmijëve, është mjeke me profesion dhe prej shumë vitesh politikane. Qysh nga viti 2005 politikania kristiandemokrate mban postin e ministres në nivel federal. Ajo e ka të qartë që biografia e saj është një përjashtim, sepse në Gjermani shumë gra mendojnë se duhet të zgjedhin ose karrierën, ose fëmijët. Në këtë drejtim ka ende shumë për të bërë, thotë ministrja, duke numëruar se sa keq paraqitet Gjermania e krahasuar në nivel europian kur është fjala për shanset në profesion të grave e në radhë të parë të nënave me fëmijë: “Nëse ne vërejmë kuotën e grave me fëmijë dhe e krahasojmë atë me kuotën e grave të angazhuara në poste drejtuese, atëherë Gjermania zë një vend nga fundi! Kjo është një gjendje që duhet të ndryshojë dhe kurrsesi nuk mund të mbetet kështu”. Të njëjtin mendim ka edhe një tjetër deputete, që referoi të premten në Bundestag, Irmingard Scheëe-Gerigk, nga Partia Ekologjike, e cila kritikoi qeverinë për paaftësi: “Ne do të deshëm të dimë nga qeveria se çfarë po bën? Cilat janë konkluzionet që nxjerr ajo nga një gjendje e tillë? Jeni ju të koalicionit qeverisës që nxirrni në pah se sa keq është gjendja për gratë e megjithatë nuk bëni asgjë”. Schewe-Gerigk kërkon ligje që të rregullojnë barazinë e shanseve edhe në ekonominë e lirë të tregut. Madje studimet tregojnë se ndërmarrjet me gra në poste drejtuese janë më të suksesshme. Edhe politikania socialdemokrate, Elke Ferner, kërkon vepra konkrete lidhur me barazinë gjinore: “Nëse vazhdohet me këto ritme, atëherë do të duhet që edhe stërmbesat tona të presin që gratë të kenë kuotë të barabartë me burrat në pozicionet drejtuese, madje edhe në forumet e këshillat mbikëqyrëse të ndërmarrjeve. Nëse nuk ndërmarrim asgjë sot në këtë drejtim, atëherë edhe pas pesëdhjetë vitesh në Ditën Ndërkombëtare të Gruas do të kritikojmë të njëjtat gjëra si edhe sot”. Pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ministrja e Familjes, Ursula von der Leyen, nisi programin e aksionit për nënat që duan të riintegrohen në jetën profesionale pas shkëputjes disavjeçare për edukimin e fëmijës pas lindjes. Agjencia Federale e Punës do të investojë për kualifikimin e mëtejshëm të grave që rikthehen në jetën profesionale pas shkëputjes. Në parlament nuk u përfill kërkesa e partisë së majtë për ta shpallur Ditën Ndërkombëtare të Gruas me ligj si ditë feste. Madje shumica e referentëve as që e komentuan këtë kërkesë.
(D.Ë)

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›