E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetë mbi tel dhe sytë poshtë...

Ekziston ndonjë mënyrë tjetër për të kuptuar qenësinë, përveç artit? Vetë shkrimtarët nuk analizojnë çka bëjnë; të analizosh veprën tënde, do të thotë të vështrosh poshtë, teksa je duke kaluar një luginë mbi një tel akrobati. Duke thënë këtë, nuk dua të mistifikoj procesin e të shkruarit, por të jap një imazh të përqendrimit të fortë të brendshëm, që duhet të ketë shkrimtari për të kapërcyer humnerat e së ndryshueshmes dhe t’i bëjë ato pronë të fjalës, ashtu sikundër bën eksploratori kur ngul flamurin. Qasja ndaj të tjerëve është fillimi i etapës tjetër të zhvillimit të shkrimtarit. Të botosh atë që ke shkruar për këdo, që do të donte të të lexonte. Kështu e shpjegoja botimin, sipas mënyrës sime të natyrshme e të pafajshme, dhe kjo nuk ka ndryshuar; po të njëjtin kuptim ka botimi sot për mua, megjithëse jam e ndërgjegjshme se pjesa më e madhe e njerëzve nuk e besojnë se shkrimtari nuk ka parasysh një audiencë të posaçme; dhe po aq e ndërgjegjshme jam edhe për ngasjet, të vetëdijshme a të pavetëdijshme qofshin, të cilat e joshin shkrimtarin të shikojë me një cep të syrit se kush do të lëndohet apo kush do të miratojë ato çfarë ka shkruar – ngasje që, ashtu si vështrimi që bëri Euridikën të humbiste, ka për ta kthyer shkrimtarin pas, në Errësirën e një talenti të shkatërruar.

Nadine GORDIMER

Forcat e qenies mbeten. Shkrimtari, si i ndryshëm nga përrallëtari popullor bashkëkohor, vë ende në përdorim këto forca, siç rrekej të bënte edhe miti në formën e tij të lashtë. Si i janë avitur shkrimtarët kësaj mënyre të përdoruri dhe si vazhdojnë të bëjnë eksperimente me të, sot më shumë se kurrë kjo është objekt studimi e studiuesve të letërsisë. Shkrimtari, në marrëdhënie me natyrën e realitetit të kapshëm dhe gjithë ç’shtrihet përtej tij – realiteti i pakapshëm, është baza e gjithë këtyre studimeve, pavarësisht etiketimeve të koncepteve përfundimtare dhe pavarësisht mikroskedarëve, ku janë kategorizuar shkrimtarët në dobi të analeve të historiografisë së letërsisë. Realiteti është i ndërtuar prej shumë elementëve dhe njësive, të dukshme e të padukshme, të shprehura apo të lëna pa shprehur, në mënyrë që t’i lënë mendjes pak hapsirë, sa të marrë frymë. Megjithëse për modernizmin e postmodernizmin, për strukturalizmin e poststrukturalizmin, analiza psikologjike tashmë ka dalë boje, të gjitha studimet letrare kanë për qëllim të njëjtën pikëmbërritje: të përcaktojnë një lidhje logjike (dhe çfarë tjetër është lidhja logjike, përveç parimit të fshehur tek gjëagjëza?); të përkufizojnë, përmes metodologjisë, kapjen që u bën shkrimtari forcave të qenies.

1.
Por jeta në vetvete varet në dorë të rastit; qenësia vazhdimisht tërhiqet e formësohet në këtë apo atë formë nga rrethanat dhe nivelet e ndryshme të ndërgjegjes. Nuk ekziston një gjendje e pastër e qenësisë dhe, si pasojë, nuk ekziston teksti i pastër, teksti “real”, që mishëron plotësisht të ndryshueshmen. Sigurisht, ky nuk mund të arrihet nëpërmjet metodologjive kritike, sado të përveçme të jenë orvajtjet. Të çndërtosh tekstin, në njëfarë mënyre, është kontradiktore, përderisa ta çndërtosh do të thotë të ndërtosh një tekst të ri me copëzat e të parit, çka Roland Barthes-i e bën në mënyrë aq magjepsëse, siç e pranon edhe vetë, kur copëton gjuhësisht dhe semantikisht tregimin Sarrasine të Balzac-ut. Kështu, studiuesit e letërsisë kthehen edhe ata në njëfarë tregimtari.
Pra, ekziston ndonjë mënyrë tjetër për të kuptuar qenësinë, përveç artit? Vetë shkrimtarët nuk analizojnë çka bëjnë; të analizosh veprën tënde, do të thotë të vështrosh poshtë, teksa je duke kaluar një luginë mbi një tel akrobati. Duke thënë këtë, nuk dua të mistifikoj procesin e të shkruarit, por të jap një imazh të përqendrimit të fortë të brendshëm, që duhet të ketë shkrimtari për të kapërcyer humnerat e së ndryshueshmes dhe t’i bëjë ato pronë të fjalës, ashtu sikundër bën eksploratori kur ngul flamurin. Shtysa e vetme e kënaqësisë të Yeats-it tek fluturimi vetmitar i pilotit dhe “bukuria e llahtarshme” e tij, që lindet prej kryengritjes së masës, largohen e bashkohen me njëra-tjetrën në të njëjtën kohë; “lidhja e vetme” modeste e E. Forster-it; “heshtja, dhelpëria dhe syrgjyni” dinak i Joyce-it, i zgjedhur prej tij; dhe më afër në kohë, labirinti i Gabriel Garcia Marquez-it, në të cilin fuqia mbi të tjerët, në personin e Simon Bolivar-it, çohet në skllavërinë e së vetmes fuqi të pakundërshtueshme: vdekjes, – këta janë disa shembuj të mënyrave të pafundme dhe të larmishme të shkrimtarëve për t’iu avitur qenësisë përmes fjalës.
Çdo shkrimtar, i çfarëdolloj peshe, shpreson të ketë në dorë një kandil të vogël dhe, në të rrallë përmes gjenisë, një flakadan të rrufeshëm në labirintin e mallkuar, por të bukur të përvojës njerëzore, të qenësisë. Dikur Anthony Burgess dha një përkufizim përmbledhës të letërsisë, duke e cilësuar atë si “eksplorim estetik i botës”. Sipas meje, të shkruarit vetëm sa fillon këtu, për të kaluar mandej tek eksplorimi i shumëçkaje që vijon paskëtaj, të cilën prapëseprapë vetëm mjetet estetike mund ta shprehin.

2.
Si bëhet shkrimtari i tillë, pasi i është falur fjala?
Nuk e di nëse fillimet e mia kanë ndonjë interes të veçantë. Padyshim, fillimet e mia kanë shumë të përbashkëta me ato të të tjerëve dhe... janë përshkruar kaq e kaq herë më parë përvoja të tjera. Sa për veten, kam thënë se asgjë faktuale që shkruaj apo them, nuk ka për të qenë aq e vërtetë, sa krijimtaria ime letrare. Jeta, opinionet, nuk janë puna, pasi përfytyrimi i transformon këto të dyja nën shtrëngesën e mospjesëmarrjes dhe pjesëmarrjes.
Lejomëni të flas pakëz për veten. Jam ajo lloj shkrimtareje që, ma do mendja, mund të quhet shkrimtare e lindur. Nuk mora kurrë vendimin të bëhesha e tillë. Në fillim nuk prisja që të siguroja jetesën, duke qenë shkrimtare e lexuar nga shumë vetë. Kur isha fëmijë, shkruaja prej gëzimit se kisha arritur të kuptoja jetën përmes shqisave të mia – pamjes, aromës, ndjesisë së sendeve dhe shumë shpejt, duke u nisur nga emocionet që më hutonin a që lëvrinin brenda meje, të cilat më pas filluan të marrin formë, gjeta ndriçimin, ngushëllimin dhe kënaqësinë, të mishëruara në fjalën e shkruar. Një parabolë e shkurtër e Kafka-s thotë: “Kam tre qen: Mbajen, Mbërthejen dhe Kurrëmënë. Mbajeja dhe Mbërthejeja janë dy qen të zakonshëm belgë dhe s’do t’i binin në sy askujt, po të ishin të pashoqëruar. Pastaj i vjen radha Kurrëmësë. Kurrëmëja është një bastard danez trupmadh dhe ka një pamje, që as racat më të mëdha dhe më të arrira s’kanë arritur ta krijojnë. Kurrëmëja është qen rrugaç.”
Në qytetin e vogël të minierave të arit në Afrikën e Jugut ku po rritesha, unë isha Kurrëmëja bastarde (ndonëse zor se ngjaj si qen danez...), tek e cila nuk gjendej asnjë gjurmë e karakteristikave të vendasve.
Unë isha endacakja që kallaisja fjalë të dorës së dytë, duke përmirësuar përpjekjet e mia shkrimore, duke mësuar prej librave që lexoja. Pasi për mua shkolla ishte biblioteka e zonës. Proust-i, Çehovi e Dostojevski, po përmend këtu vetëm disa prej atyre që ua kam borxh ekzistencën time si shkrimtare, ishin mësuesit e mi. Në atë kohë të jetës sime isha dëshmi e teorisë se librat dalin nga librat... Por nuk mbeta gjatë në këtë fazë, dhe ma merr mendja se këtë gjë do të bënte çdo shkrimtar potencial.
Bashkë me adoleshencën vjen edhe takimi me tjerësinë, përmes shtysës së seksualitetit. Pasi pjesa më e madhe e fëmijëve, që prej kësaj moshe e tutje, humbasin aftësinë e përfytyrimit të shfaqur në lojë, e cila venitet për shkak të përqendrimit tek ëndërrimet e dëshirës dhe të dashurisë, por tek ata fëmijë të cilët më pas bëhen artistë të çfarëdo lloji, kriza e parë e jetës, pas asaj të lindjes, sjell diçka më shumë: përfytyrimi rritet e zmadhohet nëpërmjet përkuljes subjektive të emocioneve të reja dhe të trazuara. Krijohen mënyra të reja të perceptuari. Shkrimtari fillon e bëhet i aftë të hyjë në jetët e të tjerëve. Procesi i mospjesëmarrjes dhe pjesëmarrjes ka zënë fill.
Pa e ditur, i isha qasur temës së qenësisë, qoftë në tregimet e para ku flas për mënyrën si e sodit vdekjen dhe vrasjen një fëmijë i detyruar ta vrasë, me një goditje vdekjeprurëse, një pëllumb të copëtuar nga një mace, qoftë diku tjetër, kur flas për druajtjen e çuditshme dhe ndërgjegjësimin e hershëm mbi racizmin, që e shihja kur shkoja në shkollë, teksa kaloja në rrugën ku dyqanxhinjtë, emigrantë europianolindorë, shtresa më e ulët e të bardhëve në qytetin e minatorëve të kolonisë angleze, pra ata që shoqëria anglo-koloniale i radhiste pothuaj më poshtë nga të gjithë, vlenin më pak nga sa vlen një qenie njerëzore – më pak se minatorët e zinj që ishin klientët e dyqaneve. Vetëm shumë vite më vonë kuptova se, po të kisha bërë pjesë te fëmijët e asaj kategorie – po të kisha ngjyrë të zezë – nuk kisha për t’u bërë dot shkrimtare, përderisa biblioteka që më dha këtë mundësi, e kishte derën të mbyllur për fëmijët me ngjyrë të zezë. Kurse shkollimi im, në rastin më të mirë, ka qenë i zakonshëm.

3.
Qasja ndaj të tjerëve është fillimi i etapës tjetër të zhvillimit të shkrimtarit. Të botosh atë që ke shkruar për këdo që do të donte të të lexonte. Kështu e shpjegoja botimin, sipas mënyrës sime të natyrshme e të pafajshme, dhe kjo nuk ka ndryshuar; po të njëjtin kuptim ka botimi sot për mua, megjithëse jam e ndërgjegjshme se pjesa më e madhe e njerëzve nuk e besojnë se shkrimtari nuk ka parasysh një audiencë të posaçme; dhe po aq e ndërgjegjshme jam edhe për ngasjet, të vetëdijshme apo të pavetëdijshme qofshin, të cilat e joshin shkrimtarin të shikojë me një cep të syrit se kush do të lëndohet apo kush do të miratojë ato çka ka shkruar – ngasje që, ashtu si vështrimi që bëri Euridikën të humbiste, ka për ta kthyer shkrimtarin pas, në Errësirën e një talenti të shkatërruar.
Zgjedhja tjetër nuk është mallkimi në kullën e fildishtë, një shkatërrues tjetër ky i krijimtarisë. Dikur Borghes-i pat thënë se shkruante për miqtë dhe për të kaluar kohën. Ma ha mendja se kjo ishte një përgjigje e thatë, e dhënë pas pyetjes së trashë – (që shpesh tingëllon si akuzë) – “Për kë shkruani?”, njësoj si këshilla e Sartre-it se vjen një kohë kur shkrimtari duhet të mos shkruajë më, por të ndikojë te qenësia, vetëm se tashmë në një mënyrë tjetër, të cilën e dha nën tensionin e një konflikti të pazgjidhur mes ankthit e padrejtësisë në botë, si dhe duke e ditur se puna më e mirë që dinte të bënte ishte të shkruarit. Që të dy, edhe Borghes-i, edhe Sartre-i, duke qëndruar në dy skaje tërësisht të ndryshme, nga ku i mohojnë letërsisë çfarëdolloj funksioni shoqëror, ishin pothuaj tërësisht të sigurt se letërsia ka rolin e vet të patundur dhe të patjetërsueshëm në eksplorimin e gjendjes së qenësisë, nga ku burojnë të gjitha rolet e tjera: roli vetjak mes miqsh dhe roli publik në veprimtaritë protestuese. Borghes-i nuk shkruante vetëm për miqtë, pasi i botoi veprat e tij, dhe sot gëzojmë begatinë e këtyre veprave. Sartre-i nuk u ndal së shkruari, ndonëse më 1968 ndodhi të ishte në ballë të barrikadave.

4.
Megjithatë, pyetja se për kë shkruajmë, e bezdis shkrimtarin, si kutia e konservës lidhur pas bishtit të çdo vepre të botuar. Kryesisht, kjo përkthehet në zhurmën e qëllimshme që ka prirje të lavdërojë apo të poshtërojë. Në këtë kontekst, Camy-ja e trajtoi çështjen më mirë se të gjithë. Ai thoshte se i pëlqenin më shumë individët që mbajnë anë, sesa letërsitë e tilla. “Njeriu ose i shërben njeriut si tërësi, ose nuk shërben hiç. Sikur njeriu të ketë nevojë për bukë e drejtësi, dhe sikur gjithçka që mbetet për të bërë duhet të bëhet për t’i shërbyer kësaj nevoje, njeriu po ashtu, ka nevojë për bukuri të dëlirë që është buka e zemrës.” Po kështu, Camy-ja bëri thirrje për “Guxim dhe talent në punë”. Marquez-i e ripërcaktoi kështu trillin e brishtë letrar: “Mënyra më e mirë, me të cilën mund t’i shërbejë shkrimtari një revolucioni, është të shkruajë sa më mirë të mundet.”
Besoj se këto dy përkufizime mund të kthehen në besoren e të gjithëve ne që shkruajmë. Këto përkufizime nuk arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjet, që u kanë ndodhur dhe do të vazhdojnë t’u ndodhin shkrimtarëve bashkëkohorë. Por thjesht dhe ndershëm, krijohet plotësisht mundësia që këto zgjidhje të vijnë duke e kthyer fytyrën e shkrimtares a të shkrimtarit për nga përvoja e saj apo e tij, tek arsyeja e të qenit shkrimtar dhe tek arsyeja e të qenit qenie e ndërgjegjshme njerëzore që vepron si çdokush tjetër, brenda një konteksti shoqëror.
Qenësia këtu: në një kohë dhe vend të caktuar. Ky është pozicioni ekzistencial, që mbart ngatërresa të veçanta për letërsinë. Czeslaw Milosz-i dikur shkroi thirrjen: “Çfarë është poezia që nuk i shërben kombit apo popullit?!”, dhe Brecht-i shkroi për një kohë kur “të flasësh për pemët, është pothuajse krim”. Shumë nga ne kanë mbartur brenda vetes mendime kaq dëshpërusese, teksa jetonim e shkruanim në vende të tilla dhe zgjidhja e Sartre-it është pa kuptim në një botë ku shkrimtarët censuroheshin dhe ndaloheshin të shkruanin – ende censurohen e ndalohen të shkruajnë, ku përtej braktisjes së fjalës, jetët e tyre kanë qenë dhe janë në rrezik, sepse bëjnë kontrabandë me fjalën, në copëza letre, jashtë burgjeve. Gjendja e qenësisë, ontogjenezën e së cilës eksplorojmë, përmban me tepri përvoja të tilla. Përmes qëndrimeve tona, thënë me fjalët e Nikos Kazanzakis-it, duhet “të marrim vendime në harmoni me ritmin e frikshëm të kohës sonë”.

Përktheu Sokol Çunga

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›