Putin: “Rusia do ta njohë Kosovën vetëm sipas të drejtës ndërkombëtare”
Në fokus të bisedimeve për Kosovën me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidenti rus Vladimir Putin është shprehur se vendi i tij do ta pranojë pavarësinë e Kosovës vetëm nëse kjo do të zgjidhet në kuadrin e të drejtës ndërkombëtare. “Nëse do të arrihet një mënyrë kompromisi për këtë çështje, atëherë ne do të jemi dakord”, - është shprehur Putin, i cili vazhdon të jetë kreu më i lartë i vendit derisa të vijë në këtë detyrë, në muajin maj, presidenti i ri Dimitri Medvedev. Presidenti i ri rus fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet e javës së kaluar. Kancelarja gjermane, Merkel, është zyrtarja e parë e lartë që viziton Rusinë pas zgjedhjeve presidenciale. Merkel dhe Putin kanë diskutuar edhe për Iranin si dhe furnizimin me gaz për Europën. Më pas Merkel do të takohet me presidentin e ri Medvedev. Gjermania ishte ndër vendet e para që njohën Kosovën e pavarur, por Berlini ishte gjithashtu një ndër shtetet e para që uroi Medvedevin për fitoren në zgjedhje.
10 Mars 2008