Libri i Karla Del Pontes, frika e pushtetit serb
Pushteti në Serbi është duke u përpjekur me çdo kusht që të ndalë botimin e librit të Karla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, shtypja e të cilit tashmë ka filluar në Itali. Në këtë libër, siç bën të ditur gazeta “Blic”, Del Ponte zbulon planet për arrestimin e dy të shumëkërkuarve të Tribunalit të Hagës, Ratko Mlladiç dhe Ravodan Karaxhiç. Pasi kanë siguruar dorëshkrimin, të cilin Del Ponte e ka mbajtur në fshehtësi, autoritetet në Beograd frikësohen se ish-prokurorja me botimin e librit do t’i rrezikojë përpjekjet e Beogradit për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, punën e ekipit veprues, si dhe të shërbimeve sekrete serbe. Del Ponte në librin e saj zbulon të gjitha ato që i kanë thënë asaj zyrtarët serbë dhe shefat e shërbimeve serbe gjatë takimeve zyrtare dhe jozyrtare që ka mbajtur me ta, por edhe çfarë kanë ndërmarrë ata për arrestimin e të kërkuarve të Hagës, para së gjithash të Mlladiçit dhe Karaxhiçit. Në këtë libër, që për momentin është duke u shtypur në një shtypshkronjë në Itali, Del Ponte po ashtu zbulon detaje nga arrestimi i gjeneralit Zdravko Tolimir, ish-shefit të gjeneralshtabit për siguri të Ushtrisë së Republikës Serbe dhe njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mlladiqit. Del Ponte ka pohuar se ai megjithatë ishte arrestuar në Beograd dhe më pastaj ishte bartur në Republikën serbe të Bosnjës. Në përpjekje për të ndalur botimin e detajeve, për të cilat dëshmon Del Ponte - përfshirë këtu edhe urdhrat konkrete që kanë marrë nga shefat e tyre si dhe metodat e punës - ekipi veprues i Serbisë i ka dërguar letër sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, si dhe presidentit e prokurorit të ri të Tribunalit të Hagës, duke kërkuar prej tyre që të shtyhet botimi i këtij libri për një “kohë të përshtatshme”, - ka thënë ky burim, i cili thuhet ta ketë lexuar dorëshkrimin e Del Pontes.
10 Mars 2008