E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri serb Koshtunica jep dorëheqjen, shkaku Kosova

Kryeministri konservator serb Vojislav Koshtunica ka dhënë dje dorëheqjen dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të reja parlamentare në muajin maj. Dorëheqja e tij vjen pas krizës brenda qeverisë serbe dhe deklaratës së tij se nuk kishte më besim te partnerët e tij proeuropianë, Partinë Demokratike dhe Partinë “G 17 plus”.
“Qeveria e Serbisë nuk ka më politikë të unifikuar mbi çështjen që ka të bëjë me të ardhmen e këtij vendi, Kosovën, si pjesë e Serbisë”, - ka thënë Koshtunica. “Qeveria e Serbisë nuk funksionon më. Ky është fundi i qeverisë dhe ne duhet t'ia kthejmë mandatin popullit”, - u shpreh Koshtunica, duke bërë thirrje që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 11 maj. Ai ka sqaruar se arsyeja e mbledhjes së qeverisë ishte marrja e vendimit për shpërbërjen e parlamentit dhe caktimin e zgjedhjeve parlamentare dhe ky veprim erdhi pas ndarjes me partnerin liberal të koalicionit qeveritar, Presidentit të Republikës Serbe, Boris Tadiç. “Ky ishte shkaku që e thirra këtë mbledhje të qeverisë për të marrë vendimin që parlamenti të shpërbëhet dhe të caktohen zgjedhjet parlamentare”, - tha Koshtunica. Megjithatë, sipas Kushtetutës serbe, të drejtën për të shpërndarë parlamentin e ka presidenti i Serbisë në bazë të propozimit të qeverisë. Para disa ditësh, ministrat pro-perëndimorë të kabinetit të kryeministrit Koshtunica hodhën poshtë kërkesat e nacionalistëve që Serbia të hiqte dorë nga përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Europian për shkak se vendet e Bashkimit Europian kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Partitë pro-europiane në koalicionin qeverisës janë shprehur se e ardhmja e Serbisë nuk do të duhej të varet nga statusi i Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, situata në Serbi ishte e trazuar. Autoritetet e këtij vendi me në krye kryeministrin Koshtunica ishin shprehur se fajtore dhe përgjegjëse për shpalljen e pavarësisë dhe pranimin e shtetit të ri ishin SHBA-të dhe vendet perëndimore. Për këtë arsye, protestues të shumtë shkatërruan dhe dogjën Ambasadën e SHBA-ve dhe të tjera në Beograd. Shtetet e Bashkuara akuzuan si përgjegjësin kryesor kryeministrin Koshtunica dhe forcat e policisë, të cilat me qëllim nuk ndërhynë për të normalizuar gjendjen. Dorëheqja e kryeministrit serb u bë e ditur gjatë një konference urgjente për shtyp.

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›