“Të dhënat e INSTAT, në Shqipëri norma e papunësisë ka pësuar rënie”

Viti 2011 shton numrin e të punësuarve në vend
2011 ka shënuar një rritje të punësimit në vend. Sipas të dhënave të zyrës statistikore të vendit, në tremujorin e tretë të 2011-ës, vihet re se numri i të punësuarve është rritur me rreth 14 mijë njësi, krahasuar me vitin 2010. Në periudhën korrik-shtator të vitit të kaluar, numri i personave që kanë gjetur një vend pune ka rezultuar 929866 nga 915 981 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Shtimi i vendeve të punës sipas INSTAT-it, ka erdh kryesisht nga të punësuarit në sektorin privat jobujqësor. Në këtë sektor vetëm në një tremujor janë hapur 353 vende të reja pune, ndërsa krahasuar me 2010 rezultojnë 15483 më shumë. Gjithashtu gjatë tremujorit të parafundit të vitit që lamë pas, norma e papunësisë është ulur me 0,01 për qind. Gjithsesi në sektorin shtetëror në këtë tremujor të 2011-ës, nuk është vërejtur asnjë hapje e re vendesh pune.
Sipas INSTAT, numri i të punësuarve ka mbetur i pandryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor për tremujorin e tretë 2011 është 506,664, me një rritje me 6,38 për qind krahasuar me 3- mujorin e tretë të 2010-ës. Të punësuarit në bujqësi gjatë korrik-shtatorit, ka ndikuar edhe në indeskin e përgjithshëm të rritjes së normës së punësimit, krahasuar me një vit më parë.
Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të tretë 2011 është 142 082, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 8 408. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3 390 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 4 195 lekë.