E Diel, 1 Nëntor 2026

“Krenar për ikonat e futbollit të kryeqytetit, çdo qytetar do të ketë akses te sporti i preferuar”

23-01-2012 / Gazeta 55

Lulzim Basha, ish-ministër i Brendshëm, anuloi projektin e Bashkisë së Tiranës që parashikonte kthimin e kompleksit “Dinamo” në beton dhe pallate shumëkatëshe 

Që nga dita e djeshme Kompleksi Sportiv “Dinamo” do të jetë funksional edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Me një investim të Bashkisë së Tiranës është bërë e mundur vendosja e sistemit të ndriçimit të këtij kompleksi.  Po kështu ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i dhomave  të zhveshjes dhe dushet. Në këtë mënyrë në kompleksin sportiv Dinamo mundësohet stërvitja e grup moshave të ndryshme në çdo kohë dhe me  kushte të mira. Një ndeshje e veçantë futbolli u zhvillua në orët e pasdites ka shënuar dhe fillimin e  funksionimit të ndriçimit në kompleks.
Ikonat e futbollit shqiptar të viteve 80-90 si Sulejman Mema, Agustin Kola, Alban Bushi, Indrit Fortuzi, Altin Shulku, Andrea Marko, Blendi Nallbani, Ledio Pano, Krenar Alimehmeti, por edhe lojtarë të tjerë si Mehmeti, Mersini, Tomorri, Milori, Tole, Stermasi, Stafa, Zhupa, Duro, Omuri ka rikthyer emocionet e veçanta të futbollit shqiptar.  Titullarët e ekipit kombëtar por edhe të ekipeve të kryeqytetit Tiranës, Dinamos dhe Partizanit zbritën në fushën të ndarë në dy ekipe të cilat drejtoheshin nga ish trajnerët e kombëtares Astrit Hafizi dhe Bejkush Birçe. Skuadra e Hafizit arriti të fitonte këtë ndeshje me rezultatin 3 me 2.
Super goli i kësaj ndeshje ishte ai i të madhit Sulejman Mema që shënoi dhe fitoren e ekipit të drejtuar nga Hafizi. Kupa u dorëzua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Në shenjë mirënjohje për kontributin e kryebashkiakut Basha, i cili në drejtimin e Ministrisë së Brendshme nuk lejoi që ky kompleks të shkatërrohej dhe për kontributin dhe angazhimin e tij për sportin në përgjithësi, ikonat e futbollit shqiptar i dhuruan topin e lojës me mbishkrimet e tyre.
Lulzim Basha e ka cilësuar një privilegj të veçantë këtë dhuratë dhe faktin se ndodhet mes ikonave dhe idhujve të tij të futbollit shqiptar dhe shprehu angazhimin që çdo banor i Tiranës të ketë akses te sporti i preferuar.
“Siç do punë edhe detyra ime ka vështirësitë e veta. Por jo si çdo punë, detyra ime sjell kënaqësi dhe privilegje të veçanta. Një nga këto privilegje sot është që të gjendem mes ikonave e idhujve të fëmijërisë time, përfaqësuesve të Tiranës, Partizanit, Dinamos e Kombëtares në fushën e blertë.  Atyre që na bënin krenarë por edhe atyre që na hipnin nervat nganjëherë, por edhe atyre që në fëmijërinë tonë ishin idhujt e sportit dhe sportdashësve dhe figura që çdo i vogël donte t’i imitonte në të ardhmen. Ndeshja e sotme ka dy simbolika. E para se na rikujton këto ikona të cilët sot janë mbledhur të gjithë sot këtu sepse janë kampionë, secili prej tyre. Ata janë një ekip pavarësisht se i kemi veshur me dy fanella të ndryshme, janë kampionë. Janë kampionë të sportit edhe në kohë të vështira.  Janë kampionë të kulturës qytetare, janë kampionë në durimin, pedagogjinë dhe sport dashurinë me të cilën edukojnë brezat e rinj. Së dyti jemi këtu për të inauguruar këtë ambient të këndshëm sportiv dhe për t’u thënë këtyre vogëlushëve, të rinjve, fanatikëve të Tiranës që nuk i ndahen klubit të tyre por edhe të gjithë sportdashësve në qytetin tonë, të gjithë fëmijëve dhe prindërve të tyre që ky investim është i pari këtë vit, në shumë investime të tjera sepse ne do të investojmë në fushat e sportit, do të investojmë tek sporti, do të ringjallim ekipet zinxhir, jo vetëm në futboll por edhe në lojërat me dorë, edhe në sporte të tjera të atletikës për të bërë të mundur që çdo i ri apo e re, çdo vogëlush apo vogëlushe të ketë mundësi të përfitojë nga sporti, të ketë mundësi të përfitojnë nga këto kampionë dhe kampionë të tjerë në fusha të ndryshme, dhe t’i futen rrugës së sportit. Jo të gjithë do të përfundojnë në kombëtare por të gjithë do të jenë mirënjohës për cilësinë e jetës, për shëndetin, për kulturën, të cilën sporti e përfaqëson dhe që do ta kthejmë fuqishëm si një mënyrë jete për qytetarët tanë. Prandaj edhe njëherë faleminderit kampionëve për këtë dhuratë të çmuar (topin e lojës) që do ta mbaj si kujtim në Bashkinë e Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›