Opozitarët kritika qeverisë për vizitën e Tadiç
Vizita e presidentit serb në Kosovë, Boris Tadiç, është pritur me reagime jo të mira nga partitë opozitare, të cilat e kanë kritikuar qeverinë për pritjen që i rezervuan kreut të shtetit serb. Aleanca Kosova e Re tha se vizita e Tadiç-it me lejen e autoriteteve në Prishtinë, tregon se qeveria e Kosovës nuk është në gjendje të kujdeset për shtetin. Në vijim të kësaj ideje, ajo kërkoi që në ndaj vizitës së presidentit të Serbisë të ndërmerren masa të tilla, si vizita e kthimit e liderëve të Kosovës në Luginën e Preshevës, me rastin e ndonjë feste të shqiptarëve. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me anë të një deklarate për shtyp ka pohuar se institucionet e Kosovës, edhe me këtë rast treguan se ishin të pafuqishme dhe kishin mungesë të përgjegjësisë që të ballafaqohen me ndikimin nga jashtë. "Qeveria duhet të jetë shumë më e përgatitur dhe më e vendosur, që të ballafaqohet me kërcënimet që vijnë nga Beogradi", thuhet në këtë deklaratë. Presidenti i Serbisë vizitoi të mërkurën Deçanin me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Paraprakisht, autoritetet kosovare e lajmëruan atë të mos lëshonte deklarata politike gjatë qëndrimit në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, në Manastirin e Deçanit, mori pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve Ortodokse, ndërsa përçoi mesazhe për pajtim. Ai ka folur edhe për tema të karakterit jofetar. I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet të vetëm, apo bashkë me Serbinë, ai ka thënë se, "nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën, në BE, por gjithë vendet e rajonit të integrohen sa më shpejt që është e mundur në union". Vizita e tij në Deçan është përcjellë me një protestë të qytetarëve të këtij vendi, të cilët e kanë kundërshtuar vizitën e Tadiçit.