E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania i vazhdon mandatin ushtarëve gjermanë edhe një vit

Qeveria gjermane ka vendosur sot vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it edhe për një vit. Vendimi do të miratohet edhe nga Bundestagu gjerman.

Qeveria gjermane, ndërkaq ka vlerësuar se trupat e Bundesverit në Kosovë, do të vazhdojnë të mbesin për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Kabineti i kancelares gjermane, Angela Merkel ka vazhduar sot mandatin e trupave gjermane të Bundesverit në Kosovë, të cilat që nga qershori i viti 1999 veprojnë në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR të NATO-s. Vendimi i kabineti qeveritar do të miratohet edhe nga Bundestagu gjerman, transmeton rtk.

Që nga viti 1999 në Kosovë në kuadër të misionit paqësor të KFOR-it kanë qëndruar më shumë se 100.000 ushtarë gjermanë duke kontribuar në ruajtjen e dhe forcimin e paqes dhe sigurisë. Aktualisht në kuadër të KFOR-t veprojnë 830 ushtarë gjermanë të stacionuar kryesisht në Prizren dhe Prishtinë, ndërkaq, lejohet mundësia edhe të 1000 ushtarëve tjerë në rast nevoje.

Aktualisht në kuadër të NATO-s në Kosovë ndodhet një kontigjent prej 5500 ushtarësh të KFOR-it nga tridhjetë vende. Në arsyetimin e dhënë sot në kabinetin e kancelares Merkel, thuhet se ushtarët gjermanë në kuadër të KFOR-it kanë dhënë një kontribut të çmuar për forcimin e stabilitetit jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.

Gjermania tani e katër vjet udhëheq me komandën e KFOR-it, ndërsa ushtria gjermane në Kosovë gëzon një respekt dhe emër të shkëlqyer, thuhet në vlerësimin e kabinetit të kancelares Merkel.

Tutje në vlerësimin e kabineti qeveritar gjerman thuhet se “Situata në Kosovë, në themel është e qetë dhe stabile, mirëpo, potencialet për një eskalim të saj vazhdojnë të mbesin të mëdha. Kjo vlen veçanërisht për pjesën veriore të vendit. Kjo është dëshmuar më së miri në pikat kufitare në kufi me Serbinë gjatë viti 2011 dhe 2012, kur trupat e KFOR-it ishin të detyruara të ndërhynin me shpejtësi për të penguar esklimin e situatës. Që atëherë situate është stabilizuar”.

Kjo detyrë vazhdon të mbetet prioritet i KFOR-it. Qeveria gjermane ndërkaq, ka vlerësuar se trupat gjermane në Kosovë do të vazhdojnë të mbesin për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Që nga viti 1999 Bundestagu gjerman ka miratuar 13 herë zgjatjen e mandatit të Bundesverit në kuadër të KFOR-it në Kosovë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›