E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania lë pas Italinë, tani 4 skuadra në Champions

Kampionati futbollistik gjerman (DFL) ka konfirmuar se Bundesliga do ta ketë vendin e katërt në Ligën e Kampionëve nga sezoni 2012/2013. Gjermania e ka parakaluar Italinë në ranklistën e koeficientëve pas rezultateve të kësaj jave në Ligën e Kampionëve dhe Europa League, duke bërë kështu që Bundesliga ta ketë dhe ekipin e katërt në Ligën e Kampionëve nga sezoni i ardhshëm. “Pas 11 vitesh, Bundesliga e ka siguruar vendin e katërt në Ligën e Kampionëve, duke filluar përsëri nga sezoni 2012-2013. Pas rezultateve të javës së fundit në Europë, me Bajernin e Mynihut dhe Bajer Leverkusenin që fituan, duke përfshirë eliminimin e Napolit, Gjermania e zgjeroi epërsinë ndaj Italisë në ranklistën e koeficientëve, duke siguruar vendin e tretë në këtë ranglistë, prapa Anglisë dhe Spanjës. Klubet gjermane kanë akumuluar 68,103 pikë dhe kanë zgjeruar epërsinë me Serie A (59,981) për 8,122 pikë. Italia e ka të pa mundur që ta rifitojë vendin e tretë këtë sezon. Duke siguruar vendin e tretë në ranklistën e UEFA-s, Bundesliga tani e tutje do të ketë katër ekipe në Ligën e Kampionëve, me tri të parat që kualifikohen drejtpërdrejt dhe një tjetër që do të luajë në play-off”, shkruan në komunikatën e DFL. Ky konfirmim vjen pas humbjes së Napolit ndaj Villarrealit në Europa League. Më të mirë nuk ishin as Interi, Milani dhe Roma, të cilët pësuan humbje në ndeshjet e para të 1/8-ës së finales së Ligës së Kampionëve, me të tria ndeshjet që janë zhvilluar në Itali.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›