Dinamo, hije në fushë, Skënderbeu fiton lojën-teatër
Vetëm 5 ditë pas penalltisë së dyshimtë që përcaktoi ndeshjen që rifuti Skënderbeun në lojë, dje një tjetër 90 minutësh i çuditshëm është zhvilluar në “Qemal Stafa”. Një ndeshje ku jo vetëm janë parë situata nga më të çuditshmet, por ka bërë mjaft përshtypje gëzimet e zbehta të korçarëve pas shënimit të golave. Dje, Skënderbeu ka fituar ndeshjen e radhës, por padyshim që ka fituar edhe thashethemet e radhës, ato që korçarët nuk po i gëlltisin dot, pasi po shtohen shumë gjatë ndeshjeve të fundit.
Në takimin e luajtur në kryeqytet, Skënderbeu i vendit të dytë mundi Dinamon në një ndeshje ku ndodhën të gjitha. Korçarët kaluan shumë shpejt në avantazh, që në minutën e 3-të. Allmuça ndërhyn në mënyrë të parregullt ndaj Sozës në zonë dhe gjyqtari kryesor Pashaj akordin një 11-metërsh. Nga pika e bardhë Shkëmbi tregohet i saktë duke kaluar skuadrën në avantazh. Nga minuta e tretë e deri tek e 45-eta, skuadrat qarkullojnë fanellat në fushë…Në pjesën e dytë Skënderbeu afrohet disa herë pranë golit me raste flagrante, por nuk gjen dot rrugën e rrjetës. Në momentin më të mirë të korçarëve vjen barazimi i dinamovitëve, një barazim që më pas solli rrjedhjen e çuditshme të ndeshjes. Ferraj bën pasimin e duhur në ndeshjen e gabuar për Allmuçën, që e dërgon topin në rrjetë duke bërë “mëkatin” e radhës. Por, për të ndrequr situatën e krijuar, blutë bëjnë atë që bënë edhe në Korçë, tërhiqen në prapavijë duke lënë qarkullimin e topit në dorë të lojtarëve të Skënderbeut. Vetëm 3 minuta zgjat barazimi blu, sepse korçarët do të gjejnë sërish rrugën e rrjetës me anë të Sozës. Por Dinamo duket se nuk mund të rezistojnë më në një ndeshje “çorbe”. Portieri Hoxha ndërhyn me dorë jashtë zonës dhe automatikisht merr kartonin e kuq. Por ky ndëshkim vjen në një moment kur Dinamo i ka kryer të tre zëvendësimet. Allmuça vesh fanellën e Hoxhës (gabim teknik ky) dhe zë vend në kuadrat, por nuk do të rezistojë as tre minuta, kur Soza do të ndëshkojë ish-skuadrën e tij me golin e dytë personal. Skënderbeu ngjitet në kuotën e 45 pikëve, ndërsa Dinamo pas kësaj humbjeje parakalohet nga Laçi në renditje dhe zbret në vendin e 6-të me 30 pikë.
Laçi, tri pikë të arta në Kavajë
Laçianët morën tri pikë të arta në Kavajë, duke mundur me meritë Besën 2-1. Kavajasit ngulmojnë më shumë në pjesën e parë, por nuk gjejnë do golin e avantazhit. Ka pasur edhe një moment tensioni kur gjyqtari ka akorduar në fillim një 11-metërsh për Besën, por pas konsultimit me anësorin e ka anuluar atë. Në pjesën e dytë janë kurbinasit ata që zhbllokojnë rezultatin. Është sulmuesi i talentuar Vilfor Hysa që me një goditje fantastike diagonale thyen portierin Kotorri, duke shënuar një gol mjaft të bukur për nga realizimi. Gjithçka ndodh në minutën e 67-të. Kavajasit përpiqen të reagojnë, por janë sërish miqtë ata që gjejnë golin, në minutën e dytë shtesës është Selimi ai që fikson shifrat në 2-0, duke shënuar një gol po aq të bukur sa edhe ai i Hysës. Besa gjen golin e nderit në minutën e 94-t me Djarmatin, që shndërron në gol një 11-metërsh të fituar nga Mancaku. Laçi tashmë ka 31 pikë dhe ngjitet në vendin e 5-të, ndërsa Besa mbetet në vendin e 10-të me 22 pikë.