E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, masa të ashpra nëse BE ndihmon Greqinë

Berlini mund të ndryshojë qëndrim në këmbim të rregullave shumë strikte

Gjermania dha dje për herë të parë shenja se ajo mund të pranojë ndihmën financiare europiane për Greqinë si hapin e fundit për të shmangur katastrofën, por ndërkohë ka kërkuar që anëtarët e Eurozonës të bien dakord në lidhje me vendosjen e rregullave më të ashpër disiplinorë. Një zyrtar i lartë i qeverisë bëri të ditura kushtet e Berlinit në lidhje me ndërmarrjen e çdolloj mekanizmi ndihmës ndaj Greqisë në takimin e së enjtes. Diplomatët europianë thanë që Franca dhe Gjermania, bashkëthemeluesit e monedhës së përbashkët europiane, janë duke punuar në një pozicion të përbashkët që duhet të mbajnë në takimin e së enjtes në Bruksel ku do të mblidhen liderët e BE-së. Ata janë duke parashikuar edhe një rol të mundshëm në këtë krizë për Fondin Monetar Ndërkombëtar, institucion të cilin Parisi nuk ka shumë dëshirë që ta shohë të zgjidhë çështjet brenda BE-së. “Mesazhi nga Berlini është shumë i qartë dhe ai detyron Greqinë që jo vetëm të vazhdojë të konsolidojë masat e marra deri më tani por të testojë edhe tregjet e huaja e në rast nevoje të përdorë edhe FMN-në”, ka bërë të ditur një analist ekonomik. Franca dhe Spanja kanë bërë thirrje për një takim të posaçëm të liderëve të vendeve të Eurozonës para takimit të radhës 2-ditor që do të zhvillohet të enjten. Vendet e Eurozonës kanë organizuar vetëm një herë një takim të tillë më parë në prag të krizës financiare globale në vitin 2008. Ndërkohë, ministri i Financave të Greqisë, George Papaconstantinou, tha se priste një rezultat pozitiv nga takimi i së enjtes. “Bazuar në të gjitha shenjat dhe vlerësimet e deritanishme ne presim të enjten një rezultat pozitiv”, ka deklaruar ai dje para gazetarëve. “Për sigurimin e stabilitetit të Eurozonës duhet që të ekzistojnë mekanizmat politikë dhe mbështetja u duhet dhënë të gjitha vendeve që janë në nevojë”, ka vazhduar ai. Ndërkaq, Kancelarja gjermane, Merkel, brenda shtëpisë së saj përballet me një kundërshti masive të njerëzve ndaj mundësisë së dhënies së një ndihme financiare grekëve me paratë e taksapaguesve gjermanë. Nëse ajo do të vendoste për këtë ndihmë do të rrezikonte ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të zhvillohen në muajin maj. Për sa i përket Greqisë, ajo ka nevojë për të rifinancuar 16 miliardë euro borxhe të maturuara në periudhën kohore mes 20 prillit dhe 23 majit dhe shpreson që shumë shpejt Bashkimi Europian do të paraqesë një plan konkret për mbështetjen e saj në këtë periudhë krize. Kriza greke pritet që të godasë ndjeshëm edhe rritjen ekonomike të vendit këtë vit dhe të dobësojë edhe më shumë mbështetjen në monedhën e përbashkët. Ministri gjerman i Ekonomisë, Rainer Bruederle, tha se një euro e stabilizuar ishte në interesat kombëtarë dhe se pavarësisht vështirësive, imazhi i monedhës nuk do të dëmtohej. Liderët e koalicionit qeverisës gjerman që u mblodhën në Berlin kanë shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e ashpër dhe pa kompromis të Merkelit në lidhje me ndihmën greke. Bavarezët kanë shprehur kënaqësinë e tyre, përqendrimin e palëkundur të Merkelit në një rast të tillë. Por qëndrime të tjera kanë mbajtur aktorë të tjerë brenda BE-së. Presidenti i Komisionit Europian, Baroso, që zakonisht është shumë i kujdesshëm kur u drejtohet anëtarëve të fuqishëm të Bashkimit i bëri thirrje dje Merkelit që të dilte mbi interesat lokale të vendit të saj dhe të shmangte një efekt domino që mund të ndodhte në të gjithë Eurozonën nëse Greqia do të falimentonte. Ndërkaq, ministri grek i Financave deklaroi se vendi i tij nuk ka falimentuar dhe nuk do të shkojë në takimin e nesërm në pozicionin e lypsarit. “Ne duam që të luajmë me rregullat e lojës së Eurozonës”, ka deklaruar ministri i Financave.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›