E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama-Netanjahu, takim në Shtëpinë e Bardhë



Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka takuar presidentin Obama ditën e marte në kuadër të vizitës zyrtare që diplomati izrael po kryen në SHBA. Vizita e dy liderëve është zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
Raportohet se tema kryesore e dy kryediplomatëve ka qenë çeshtja e nxehtë e banesave me popullatë hebreje që pritet të ndërtohen në Jeruzalemin lindor, projekt i cili është projektuar nga shteti izraelit. Takimi u krye me dyer të mbyllura.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pati deklaruar më përpara gjatë ditës në Uashington se bisedimet për paqen në Lindjen e Mesme mund të shtyhen me një vit. Kjo do të ndodhë nëse palestinezët nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre për ngrirjen e plotë të ndërtimeve në Jeruzalem.
"Nuk duhet të mbetemi të bllokuar në kërkesa të palogjikshme dhe të paarsyeshme", është shprehur Netanyahu pasi ka takuar në Kongres disa parlamentarë amerikanë.
Kërkesa për një ngrirje të marrëdhënieve është prezantuar edhe nga Shtetet e Bashkuara.
SHBA shpreson që me anë të kësaj vizite të cilësuar shumë të rëndësishme jo vetëm të përmirësohen marrëdhëniet e irrituara mes dy palëve por edhe të gjindet një zgjidhje e kënaqshme për popullatën palestineze.
Gjithashtu gjatë takimeve të tij të mëparshme kryeministri izraelit ka folur edhe në lidhje me regjimin e Iranit. Netanjahu e ka përkufizuar qeverinë e shtetit islamik si një pushtet tiranësh. Izraeli dhe Irani kanë vite që demostrojnë një politikë konflikti të hapur mes njëri-tjetrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›