E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjermania mbështet integrimin në BE”

05/08/2011  Ministri gjerman Niebel vizitë dyditore në Tiranën zyrtare

Biseda me Ramën e kryeministrin Berisha të parat në axhendën e takimeve

Gjermania rikonfirmoi dje mbështetjen e saj në të gjithë procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Një qëndrim i tillë u bë dje i ditur nga ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë Dirk Niebel, që ndodhet prej ditës së djeshme në Tiranë për të zhvilluar një vizitë dyditore me drejtues të lartë të vendit. Kështu, gjatë ditës së djeshme ministri gjerman zhvilloi takime me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Në këtë takim të zhvilluar në selinë rozë qenë të pranishëm dhe deputetë të kësaj partie, si Mimi Kodheli, Ditmir Bushati. Po gjatë ditës së djeshme ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë u prit në një takim nga kryeministri Sali Berisha. Nga ana e tij kryeministri Berisha i shprehu ministrit Niebel falënderimet e thella për ndihmën që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë në 20 vjetët e fundit, duke mbështetur reformat transformuese të Shqipërisë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian. Vlera e ndihmës gjermane në fushat prioritare në kuadër të bashkëpunimit ekonomik bilateral arrin në 500 milionë euro, e fokusuar në sektorë shumë të rëndësishëm, si: energjetikë, ujësjellës-kanalizime, arsim, bujqësi, mbështetje e sektorit ekonomik etj.

Rama-Niebel

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama priti mesditën e djeshme në një takim ministrin për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë Dirk Niebel.

Në takim u fol për situatën politike në Shqipëri, për sfidat që shoqërojnë vendin në rrugën drejt integrimit europian, për ndihmën dhe asistencën e Gjermanisë, si një ndër partnerët kryesorë në rrugën e zhvillimit dhe demokratizimit. Rama bëri një ekspoze të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke bërë të njohur qëndrimin e PS-së në lidhje me situatën aktuale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›