E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP mbyll kualifikimin e ish-pronarëve për kompensim

05/08/2011  Rregullat që do të ndiqen në ndarjen e parave dhe sipërfaqet që shpronësohen sipas kategorive

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duket se është në përfundim të hartimit të listës së ish-pronarëve që do të përfshihen në skemën e kompensimit financiar. Për këtë bëhet e ditur se javën e ardhshme do të realizohet konfirmimi përfundimtar i personave që kanë paraqitur dosjen. Ndërsa brenda 10 ditësh do të bëhet shpallja e listës së personave që përfitojnë.

Ndërkohë Agjencia do të veprojë me përzgjedhjen vetëm sipas vendimit përkatës të miratuar nga qeveria. Ndryshe nga vitet e shkuara, AKKP-ja nuk do të kufizohet më në kompensimin deri në 200 m2 tokë. Gjithashtu në rast kualifikimi paratë do të kalojnë në llogaritë bankare të deklaruara në dosje.

Formula

Subjektet e shpronësuara prona e të cilave është njohur për kompensim, do të kualifikohen si fitues për kompensimin sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit të njohjes. Megjithatë, që të nisë procesi i përzgjedhjes, dosjet duhet të kenë një vendim përfundimtar që ka përcaktuar kompensimin e pronës. Ndërkohë vendimi që ka përcaktuar kompensimin e pronës duhet të jetë i ekzekutueshëm. Nga ana tjetër, do të duhet që vendimi për të cilin aplikohet nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim. Në rastin e vendimeve që janë ndryshuar pjesërisht për efekt klasifikimi, do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone.

Kompensimi

Kompensimi të bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit do të jetë e ndarë në disa kategori. Kështu, për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 m2 masa e kompensimit të jetë 200 (dyqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 deri në 3000 m2 masa e kompensimit të jetë 300 m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 deri në 5000 m2 masa e kompensimit të jetë 400 m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 deri në 10000 m2 masa e kompensimit të jetë 500 m2. Ndërsa për pronat e njohura për kompensim mbi 10000 m2 masa e kompensimit të jetë 600 m2.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›