Mblidhet grupi i punës, flet presidenti Topi
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi mblodhi grupin e punës për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Grupi, përbërë nga specialistë të njohur të fushës, brenda 10 ditësh do të paraqesin para Presidentit emrat e rinj kandidatëve për anëtarë të kësaj gjykate. “Është e drejtë ekskluzive e presidentit të bëjë dekretimin e kandidaturave në respekt të integritetit moral dhe kapaciteteve profesionale, sikundër është e drejtë e parlamentit, t’i aprovojë apo jo”- tha Topi.
Ai ka pranuar se duhet fituar koha e humbur dhe t’i hapet rrugë veprimtarisë së gjykatës.
“Sot realizojmë një eksperiencë të re, për transparencë jo para politikës. Ky proces nuk është në interes të një personi, por të së ardhmes së institucioneve. Drejtësia kërkohet te njerëzit e thjeshtë sepse njerëzit me pushtet e kanë më të thjeshtë ta realizojnë drejtësinë. Unë jam garant i kushtetutës, jam për të përfaqësuar ullnetin e popullit”- tha Topi, në përgjigje të situatës së krijuar pas rrëzimit të dekreteve nga parlamenti.
Sipas tij, në kushte të tilla që pritet integrimi në BE, nuk mund të lejohen probleme të tilla. “Nuk mund t’i lejojmë vetes përplasjen e brendshme”- tha ai, duke e komentuar atë që ndodhi, si diçka që nuk ka qenë sinkron me pritshëmrinë që ai ka pasur në ushtrimin e kompetencave. Ai ka theksuar se emrat e pare kane qene te perzgjedhur me kujdes, shume serioz dhe ne baze te konsultimeve te gjera. Sipas Topit, vleresimin me te mire mund ta bejne specialistet dhe jo politika.
Vendimi për ngritjen e këtij grupi pune u bë publik dje në një njoftim për shtyp të Presidencës. Ky grup pune, i cili do të jetë i përkohshëm dhe konsultativ do të përbëhet nga 9 anëtarë, juristë dhe dekanë dhe ekspertë të njohur në fushën e drejtësisë. Në përbërje të këtij grupi janë Artur Metani, Këshilltar juridik i Presidentit, Kreshnik Spahiu zv/kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Virgjil Karaj, sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, Manjola Bejleri, Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Artur Kalaja, Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, Prof. Dr. Skënder Kaçupi Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Aleks Luarasi, Prof. Dr Rustem Gjata dhe Krenar Loloçi ekspert i të drejtës Kushtetuese.
Grupi juridik i transparencës do të shqyrtojë dokumentacionin e kandidatëve, mund të kërkojë informacione shtesë, të sugjerojë standarde dhe kritere të tjera që lidhen me etikën, moralin, nivelin profesional të kandidatëve si dhe, kur e çmon të arsyeshme mund të intervistojë një pjesë të tyre.
Grupet e punës do të kenë dhe seanca dëgjimore dhe konsultative me përfaqësuesit e grupeve parlamentare do të ftohen për të prezantuar rekomandimet mbi standardet dhe parimet e vlerësuara prej tyre për përzgjedhjen e kandidatëve për 6 vendet vakant. Seancat do të jenë transparente dhe në prezencën e medias dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.