Gjermania, partner strategjik i Kosovës
Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin gjerman në vendin tonë Hans-Diter Shtainbah, të cilin e ka falënderuar për kontributin e tij për zhvillimet në Kosovë gjatë kohës sa ka qenë në krye të Ambasadës së Gjermanisë.
Hoxhaj ka thënë se qytetarët dhe institucionet e Kosovës e konsiderojnë Gjermaninë një ndër partnerët kryesor strategjik në proceset e mëtejshme, duke e vlerësuar jashtëzakonisht lart kontributin që Gjermania dhe populli i saj ka dhënë për Kosovën, gjatë gjithë proceseve të kaluara.
Po ashtu, ministri Hoxhaj, ka shprehur përkushtimin e shtetit dhe popullit të Kosovës për të forcuar bashkëpunimin e gjithanshëm me Gjermaninë, duke falënderuar ambasadorin edhe për përkrahjen që shteti gjerman po i jep Kosovës në drejtim të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit dhe në proceset integruese në strukturat euroatlantike.
Ndërkaq, ambasadori në largim Shtajnbah ka falënderuar ministrin Hoxhaj për bashkëpunimin e ofruar gjatë kohës sa ka qenë në krye të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.