E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania shkatërron Irlandën e Trapatonit

Gjermania e drejtuar nga Joachim Loew ka hedhur pas krahëve kritikat e fundit në drejtim të saj. Në fushën e vështirë të Irlandës, e drejtuar nga trajneri italian Trapatoni, të zgjedhurit e Loew kanë fituar me rezultat 6-1.

Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 32-të kur pas një aksioni të Marcel Schmelzer, Marco Reus shënoi golin e parë të takimit. Pa përfunduar pjesa e parë, i njëjti futbollist e dyfishoi epërsinë. Një ndërhyrje në dëm të Miroslav Klose, arbitri e dënoi me penalti, ndërsa Mesut Oezil ishte i saktë nga njëmbëdhjetëmetërshi në minutën e 55-të. Sulmuesi i Lazios, Klose, u regjistrua në listën e golashënuesve (58’), pas një pune të mirë të Thomas Mueller. Toni Kroos gjuajti me vole për të shënuar golin e pestë (61’) dhe më pas shënoi edhe golin e gjashtë për ‘die Mannschaft’ (83’). Golin e nderit për ekipin vendas e shënoi Andy Keogh në minutat shtesë të takimit (90’+2).
Gjermania pas kësaj fitoreje udhëheq Grupit C me nëntë pikë të grumbulluara pas tri ndeshjesh.

Anglia dhe Spanja fitore me goleadë

Përfaqësuesja e Anglisë nuk ka lejuar befasi në ndeshjen e Grupit H, ndaj San Marinos duke fituar me rezultat 5-0.
Serinë e golave e filloi kapiteni Wayne Rooney me një realizim nga penaltia (35’). Dy minuta më pas Danny Welbeck e dyfishoi epërsinë (37’).

Në pjesën e dytë, kapiteni i Anglisë në këtë ndeshje shënoi edhe golin e dytë personal (70’) dhe për çudi sërish pas dy minutave reagoi Welbeck për ta ngritur epërsinë në 4-0 (72’). Rezultatin përfundimtar e vendosi futbollisti i Arsenalit, Alex Oxlade-Chamberlain (77’).

Fitore të thellë 4-0 ka shënuar edhe Spanja në kuadër të Grupit I, në fushën e Bjellorusisë.

Anësori i Barcelonës, Pedro Rodriguez, shënoi tripletë (20’, 69 dhe 72’), ndërsa golin e parë e shënoi futbollisti tjetër blaugran, Jordi Alba (12’).

Italia fiton në pjesën e dytë

Me rezultat 3-1, Italia ka fituar si mysafir i Armenisë në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin në Hrazdan.
Azzurrët kaluan në epërsi në minutën e 11-të me anë të Andrea Pirlos nga penaltia.

Henrik Mkhitaryan e barazoi rezultatin për vendasit (27’) dhe me shifra identike skuadrat shkuan në pushim. Daniele De Rossi riktheu epërsinë e mysafirëve në gjysmën e dytë (64’), pas një harkimi të Pirlos. Mesfushori i Romës ishte i përfshirë në golin e tretë, pasi ai dërgoi asistin për Pablo Osvaldon, i cili vendosi rezultatin përfundimtar në ndeshje (82’).

Italia ka shtatë pikë dhe gjendet në krye të Grupit B.

(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›