E Shtunë, 31 Tetor 2026

9 ujësjellës kërkojnë rritje çmimi për ujin

TIRANE- Ndërsa ndërmarrjet e ujësjellësve konsiderohen nga Bashkitë si shkaktaret kryesore të borxheve të akumuluara ndaj CEZ dhe KESH, nëntë prej tyre kanë kërkuar nga Enti Rregullator i Ujit (ERU) rritje të çmimit për furnizimin e konsumatorëve për vitin 2013. Nga kërkesat e publikuara në faqen zyrtare rezulton se kanë aplikuar për rritje çmimi ndaj konsumatorëve ndërmarrjet e ujësjellës - kanalizimeve , Sh.A.UK Pogradec, Sh.A.UK Fier, Sh.A.UK Rrogozhinë, Sh.A.U Bulqizë, Sh.A.U Përmet, Sh.A.UK Lushnje Qytet, Sh.A.UK Lezhë, Sh.A.UK Gjirokastër Qytet dhe Sh.A.UK Berat – Kuçovë. 

Nga burime brenda Entit Rregullator të Ujit bëhet me dije, se ndërmarrjet e ujësjellësve kanë kërkuar rritje tarifash për konsumatorin në masën 15-20 për qind. 

KOSTOT 
Aktualisht, Enti Rregullator i Ujit është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të shoqërive, të cilat i kanë argumentuar kërkesat e tyre me justifikimin se vetëm kështu do të jenë në gjendje të garantojnë bilance të shëndetshme financiare. Për këtë vit, Enti Rregullator i Ujit vendosi ndryshim të tarifave për disa operatorë që kishin aplikuar, mes të cilave edhe për ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve në kryeqytet. Por nuk kanë munguar as këtë vit aplikimet për ndryshim të çmimit të ujit të pijshëm. Afati përfundimtar i marrjes së vendimit, nëse ndonjë nga shoqëritë ka probleme me dokumentacionin, është 30 marsi 2013. 
BORXHET E UJËSJELLËSVE 
Vetëm pak ditë më parë, ndërmarrjet e ujësjellës- kanalizimeve u bënë protagoniste të një vendimi të qeverisë që parashikon ndërprerjen e financimeve ndaj njësive vendore të cilat përdoren kryesisht për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike. Bashkitë argumentuan se fajtorët kryesorë të këtij borxhi të akumuluar qenë pikërisht ndërmarrjet e ujësjellësve. Përmes një akti normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit, të miratuar këtë javë në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, pushtetit vendor do t’i ndërpriten fondet nga grantet e pakushtëzuara nga arka e shtetit, për të paguar detyrimet e energjisë ndaj kompanisë “CEZ Shpërndarje”. Përmes aktit në fjalë, qeveria vendosi ngrirjen e fondeve prej 2.5 miliardë lekësh nga grantet e pakushtëzuara që përdoren nga bashkitë e komunat kryesisht për të paguar faturat e energjisë. Në një kohë që llogaritet se rreth 12 milionë dollarë prej këtyre fondeve janë fatura të papaguara nga ana e ujësjellësve. Kryetarët e disa bashkive e konsideruan të papranueshme aktin e qeverisë, duke shpjeguar se ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve operojnë si subjekte të pavarura. Sipas tyre, fakti që ujësjellësit vetëfinancohen, e bën krejt të papranueshme ndërprerjen e fondeve, në një kohë kur duhet t’i kishin shlyer faturat e energjisë me të ardhurat që grumbullojnë nga shitja e ujit.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›