E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania u shuan ëndrrën, dëbon grekët nga Europa

Gjermani-Greqi 4-2

Poker i pancerave të Lëvit, shkatërrohen helenët.

Gjermania, të paktën sportivisht dëbon Greqinë nga Europa dhe pret e qetë fituesin e çerekfinales mes Italisë dhe Anglisë. E nëse Italia do të arrijë të kalojë anglezët (ose anasjelltas), këtyre do tu duhet të përplasen me një Gjermani jo vetëm të fortë, por edhe e aftë të zgjidhë çdo ekuacion të mundshëm, sado difensiv që të jesh. Normalisht, Greqia përdori të vetmen taktikë që njeh: mbrojtje e ngjeshur dhe kundërsulm. Por, tekniku Joakim Lëv, i mjaftuan edhe rezervat (në pankinë ishin Gomez, Myller dhe Podolski) për të bërë më të mirën ndaj kundërshtarëve. Në avantazh me Lahmin në pjesën e parë, drithërima pas barazimit të Samarasit dhe më pas starton stuhia gjermane dhe Khediran, Klosen dhe Rojs. Gjermania, edhe pse me një sulm të ri, nuk zhgënjen dhe pas vetëm 4 minutash vjen goli i parë, por anësori e anulon për jashtë loje të Shyrrle. Greqia merr frymë dhe arrin ta kalojë këtë moment tejet të vështirë. Por, në minutën e 23-të, Ozil, ndër më të mirët edhe në këtë ndeshje, shpërdoron një rast të jashtëzakonshëm: aksion i gjithi me një takim, Klose-Rojs për Ozil, i cili duhet veçse të gjuajë në drejtim të portës, nga fare pranë, por goditja e tij është tejet e dobët dhe portieri Sifakis falënderon nën dhëmbë. Dy fjalë edhe për këtë të fundit, i cili organizoi mbrojtjen dhe mundohej në mjaft raste edhe të fliste me kolegët e tij, por në asnjë moment nuk tregoi siguri. Në çdo gjuajtje të gjermanëve e ka të pamundur për të mbajtur topin, duke krijuar edhe ai vetë panik në zonën e tij. Sakaq luhet me një portë dhe vetëm dy minuta më vonë Klose është me të mijtën e sekondës me vonesë në takimin me topin për ta shtyrë në rrjetë. Greqia, nga ana e vet, duket për herë të parë te porta e Nojer në minutën e 32-të, pas një gjuajte pa shumë pretendime nga ana e himarjotit Sotir Ninis. Në minutën e 35-të Ozil hyn në zonë dhe jep një pasim perfekt për Kediran, i cili me të parën gjuan dhe sërish Sifakis pret në dy kohë. Por era e golit po ndihej prej minutash të tërë, paçka se askush nuk besonte se do të vinte nga këmbët e kapitenit. Minuta e 39-të, Lahm, nga e majta hyn në qendër dhe në hyrje të zonës gjuan fort duke ngritur në peshë stadiumin 40 mijë vendesh të Gdanskut. Në fillim të pjesës së dytë Greqia zbret me forca të reja (Gekas dhe Fotakis), por goli i barazimit vjen sërish nga të vjetrit. Salpingidis shfrytëzon një autostradë në krahun e djathë, lëshon një top topazi në zonë ku Samaras vetëm sa e shtyn në rrjetë. Por ky iluzion zgjat vetëm 6 minuta. Kros nga e djathta e sulmit gjerman në zonë ku Khedira fluturimthi e dërgon poshtë traut të portës me Sifakis sërish të mundur. Greqia provon sërish me Gekos, por gjuajtja e këtij të fundit është shumë larg portës së Nojer. Lëvi fut në lojë edhe Myler dhe si me porosi vjen 3-1. Klose shfrytëzon bukur një dalje të gabuar të portierit grek për ta dërguar me kokë topin në rrjetë. Tashmë ndeshja flet vetëm për gjermanët dhe në katedër ngjitet pak minuta më vonë edhe Rojs. Ky i fundit lëshon një predhë në hyrje të zonës, por portieri as që tentoi për ta ndalur atë top. Ka ende emocione, por këtë radhë për Greqinë, e cila fiton një penallti të kthyer në gol nga Salpingidis. Ska më kohë dhe Gjermania siglon fitoren e 15-të radhazi, seri e cila nis që nga Botërori 2010.

Skeda e ndeshjes
Gjermani-Greqi 4-2

Shënues: Lahm 39, Khedira 61, Klose 68, Rojs 74/ Samaras 55, Salpingidis 89 (p)
Kartonë të verdhë: Samaras 14, Papastopulos 75
Gjyqtarë: Damir Skomina/ P.Arhar dhe M.Zuniç (SLLO)
Gjermania: Nojer, Lahm, Badshtyber, Humels, Boateng, Shvainstaiger, Khedira, Ozil, Rojs (Gëce 79), Shyrrle, Klose (Gomez 79). Trajner: Joakim Lëv
Greqia: Sifakis, Torosidis, Papadopulos, Papastopulos,  Maniatis, Tzavelas (Fotakis 46), Katcuranis, Makos (Liberopulos 72), Ninis (Gekas 46), Samaras, Salpingidis. Trajner: Fernando Santos

Analiza e ndeshjes
Njeriu i ndeshjes Mesut Ozil ka qenë lojtari i ndeshjes. Fantazisti, edhe pse humbi një rast të pastër në pjesën e parë, ishte truri i Gjermanisë në këtë përballje.
Më i dobëti Sifakis ishte lojtari më i dobët në këtë përballje. Portieri jo vetëm që gaboi te goli i Kloses, por tregoi pasiguri në çdo pritje.
Çelësi i përballjes Gjermania thjesht dominoi Greqinë në çdo aspekt, duke mos i lënë mundësi që të dilte nga gjysmëfusha e vet. Nga ana tjetër, grekët besuan shumë te kundërsulmi, i cili nuk është se dha shumë rezultat.
Moviola Në minutën e katërt Gjermania shënon me anë të Shyrrle. Vepron mirë anësori, lojtari ishte në pozicion jashtë loje. Në minutën e 14-të dy ndërhyrje të gabuara të Samaras mbi Khediran dhe më pas Shvainstaigerin, i drejtë kartoni i verdhë dhënë lojtarit grek.

Lëv: Grekët patën shans, bënë 2 gola
Joakim Lëv është ndier krenar për lojtarët dhe skuadrën e tij. Teksa premtoi se do thyente murin grek, ajo ndodhi në formën më të mirë të mundshme. Treguam klas të lartë futbolli. Gjermania ime qëndron për të katërtën herë radhazi në gjysmëfinale, dhe kjo nuk është rastësi. Jam krenar për këta lojtarë, të cilët treguan se janë kampionë dhe dinë ti bëjnë ballë çdo kundërshtari. Grekët patën vetëm një rast, por shënuan dy gola. Patën fat, pasi i dhuruam edhe një penallti, nënvizoi trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, i cili nuk u largua pa dhënë edhe një mendim për rivalin e radhës në gjysmëfinale. Ka për të qenë relativisht e vështirë. Të shohim.

Khedira: Nuk llogarisim as gjysmëfinalen
Mesfushori i Realit të Madridit shënoi golin më të rëndësishëm të këtij takimi, pasi zhbllokoi shumë shpejt takimin e vendosur në baraspeshë nga Samaras. “Pas barazimit patëm një reagim fantastik, një nga ato përgjigje që vetëm ekipet që pretendojnë për kampione mund ta kenë. Mbase, kundër Greqisë e bëmë ndeshjen pak më emocionuese seç duhej, por gjithsesi unë jam i bindur kur them se as rivalen që pritet të vijë nga çifti Itali-Angli nuk e llogarisim. Jemi pretendentët kryesorë për këtë Evropian dhe nuk duam të ofrojmë drithërima të tjera. Nëse një ekip si ne vë të gjithë potencialin në fushë, atëherë për asnjë kombëtare tjetër në Europë nuk ka shpëtim”.

Nojer: Isha përgatitur për penallti
Portieri gjerman, Manuel Nojer i kishte marr të gjitha masat për ti bërë ball piratëve grek. Ai ka arritur në ekstrem duke u stërvitur edhe për penalltitë. Këtë e pohon pas ndeshjes. Shpirti luftarak i grekëve më ka befasuar që me ndeshjen ndaj Rusisë. Për këtë gjë mora rastin më të keq dhe bëra stërvitje për të kapur penalltitë. Sigurisht ky mendim ishte i fundit, pasi kisha besim të verbër tek fitorja. Kjo barrikadë u kalua me sukses dhe më duhet të komplimentoj shokët e mi që ma lehtësuan punën. Luanim kundër skuadre që mbrohej me 10 lojtarë dhe më vjen mirë që kjo finale përfundoi kështu, nënvizoi Manuel Nojer.

Santos: Grekë, na falni, kaq kishim mundësi
Trajneri portugez i përfaqësueses greke, Fernando Santos, dorëzohet para supermacisë së Gjermanisë. Kishte një dëshirë të madhe brenda ekipit për të realizuar një arritje të paharrueshme, por ishte thuajse e pamundur. Kundërshtari kishte një nivel të lartë fizik dhe cilësor krahasuar me ne, ndaj nuk mundëm të bënim dot më shumë. Më vjen keq që i zhgënjyem tifozët tonë, por duhet të jemi të vetëdijshëm për potencialin që kemi, u shpreh

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›