Italia dhe Anglia jane te barabarta

Kapiteni i Italisë, Xhanluixhi Bufon ka deklaruar se skuadra e tij ka vetëm 50 për qind shanse për t’u kualifikuar përballë Anglisë në çerekfinalen e së dielës në Kampionatin Europian. Sfida në Kiev do të jetë e para për portierin kundër “Tre Luanëve” dhe ai shpreson që eksperienca të jetë e mirë.
“Në ndeshjet e rëndësishme apo në aktivitete nuk kam luajtur kurrë kundër tyre. Kjo është hera e parë për mua. Shpresoj mos të jetë e fundit, por mbi të gjitha shpresoj që pas takimit të jem i lumtur”, tha ai.
Anglia është një humbëse seriale kur vjen fjala te penalltitë, ndërsa edhe Bufon nuk ka shumë fat në ekzekutimin e gjuajtjeve nga pika e bardhë, pavarësisht se fitoi titullin në Botërorin 2006 pikërisht pasi Italia fitoi me 11-metërsha. “Gardiani” nuk do të preferonte që fituesi i kësaj përballje të përcaktohej nga penalltitë.
“Kundër Anglisë kemi 50 për qind shanse për të fituar dhe sigurisht që kjo do të jetë një ndeshje ku gjithçka do të vendoset nga detajet. Ato do të bëjnë diferencën. Sa shanse ka Italia të fitojë Europianin? Nuk duhet të tregohemi mendjemëdhenj”, sqaroi kapiteni.
Në fund, kur u pyet se çfarë do të thotë kjo çerekfinale për lojtarët “axurrë”, Bufon u përgjigj krenari, gëzim dhe lumturi për të përfaqësuar ngjyrat e Italisë.