Gjermania zbret me këmbë në tokë
Ridimensionohet Gjermania? Humbja ndaj Serbisë duket se tregon pikërisht këtë: gjermanët u kthyen me këmbë në tokë, por ka ende kohë, që të demonstrojnë se janë mes pretendentëve. Le të themi se djemtë e Lëv, shumë të pasaktë në shënjestrën e portës (Podolski humbet edhe një 11-metërsh), kontribuuan në humbjen e saj, por ai që dëmton logjikisht anën taktike të ndeshjes është gjyqtari shumë i rreptë spanjoll Undiano, me vendimin e tij të tepruar, duke lënë gjermanët me dhjetë lojtarë për më shumë se sa gjysmën e ndeshjes. Ndërsa për sa u përket serbëve, mund të themi se ndryshimi i tyre qëndron në faktin se në krahasim me të kaluarën ata u paraqitën me një tjetër mentalitet, të cilin e ruajtën deri në fund të ndeshjes. Pas humbjes me Ganën, në të tjera rrethana kjo sfidë do të kishte qenë e shëmtuar, ndërsa këtë herë, falë edhe korrigjimeve të duhura, muzika ndryshoi.
Mesfusha serbe – Duke u futur në detajet taktike të ndeshjes, Lëv nuk ndryshon asgjë, duke i qëndruar shumë besnik tre organizatorëve në mbështetje të sulmuesit të vetëm, Kloses. Ndërsa Antiç, i vetëdijshëm për katër golat e gjermanëve të shënuar në portën e australianëve statikë, lë jashtë Panteliç (Zigiç sulmuesi i vetëm), duke mbipopulluar mesfushën për t’i dhënë më shumë liri avancimeve në krah, mbi të gjitha atyre të Krasiç në të djathtë.
Gjyqtari protagonist – Njeriu protagonist i pjesës së parë është gjyqtari spanjoll Undiano. Fërshëllen në çdo kontakt, edhe për më të parrezikshmet, duke e ndërprerë në mënyrë të padrejtë lojën, prandaj drejt fundit të fraksionit të parë i lë gjermanët me dhjetë lojtarë. Klose, i ndëshkuar më parë (për më tepër me një karton të ekzagjeruar), nuk di të frenohet ndërsa ndjek Stankoviç dhe e prek nga prapa. Ndjeshmëria e gjyqtarit në këtë rast nuk ekziston dhe prandaj sulmuesi gjerman nuk mund të jetë më pjesë e ndeshjes.
çdo gjë ndryshoi – Një gjë e tillë i komplikon punën Lëvit. Ndërsa gjermanët mendojnë për atë që ndodhi, Serbia dizenjon aksionin e saj më të mirë: kros i Krasiç nga e djathta, spondë në zonë e Zigiç dhe prekje fatale e Jovanoviç, që mposht Nojerin nga dy hapa distancë, një aksion i bukur, por me një mbrojtje kundërshtare shumë statike. Traversa e Khediras në fundin e pjesës së parë, i jep start një skenari, i cili do të zgjasë për një pjesë të mirë të pjesës së dytë.
Princi i rënë nga froni - Protagonisti negativ është Lukas Podolski. Shumë herë deciziv, këtë herë princi Poldi bën gabime në seri. ëzil i jep dy asiste fantastike, por ai gabon në shënimin e golave thuajse të sigurt. Por epilogu është në gjuajtjen e penalltisë, për fat të keq të shkaktuar nga një prekje e topit me dorë nga Vidiç (i dyti pas Kuzmanoviç, njëlloj si të donte ta imitonte atë): lojtari i Këlnit gjuan në të djathtë, portieri Stojkoviç e nuhat dhe e pret. është kënga e mjellmës gjermane, që me gjithë ndërrimet e dëshpëruara të Lëvit, bien edhe nga ana atletike, duke vuajtur lojën e shpejtë të serbëve nga krahët. Jovanoviç trondit një shtyllë, Zigiç traversën: por për Gjermaninë, pësimi i një goli të dytë do të kishte qenë vërtet shumë.
Deklaratat - “Nuk e filluam mirë ndeshjen, siç bëmë me Australisë. Ndëshkimi i Kloses me karton të kuq ishte shumë i rëndë për ne, pastaj në 10 minutat e ardhshme ishte gjithçka shumë më e vështirë dhe kemi pësuar edhe një gol nga një gabim fëmijëror”. Kështu është shprehur mbrojtësi i Gjermanisë, Filip Lahm, duke komentuar humbjen ndaj Serbisë. Një humbje e ardhur për shkak të penalltisë së humbur nga Lukas Podolski në minutën e 60 të pjesës së dytë: “Nuk gjuajta edhe aq keq, ka thënë sulmuesi i Këlnit. Kjo humbje është shumë e hidhur, do të kishim mundur të bënim një hap të madh drejt 1/8-ave”.
#