Rritet fluksi i turistëve nga Kosova, 7 mijë makina në ditë
Gjysma e parë e qershorit të këtij viti ka shënuar fluks të shtuar të lëvizjes së shtetasve të Kosovës drejt detit të Shqipërisë. Nga burime të doganës së Morinit mësohet se brenda një dite lëvizin mesatarisht 6000 deri në 7500 mjete kryesisht autovetura, si dhe rreth 30 autobusë. Kjo shifër përbën rreth 75% të pikut të lëvizjes së turistëve nga Kosova që u arrit në verën e vitit të shkuar me më shumë se 10 mijë mjete në ditë. Drejtues të pikës së kalimit të kufirit thanë se në muajt korrik dhe gusht pritet që të arrihet përsëri shifra e një viti më parë. Gati 95% e të gjithë shtetasve të Kosovës që hyjnë në Shqipëri thonë se kanë qëllim kryesor pushimet në bregdet, ndërsa shprehen se janë të kënaqur me shërbimin e shpejtë në pikën e kalimit të kufirit, ku sipas marrëveshjes së dy vendeve të nënshkruar ditët e fundit, aty bëhet vetëm një kontroll. Përkatësisht në hyrje kontrollohen vetëm nga policia e kufirit e Kukësit, ndërsa në dalje vetëm nga ajo e Kosovës. Tri ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ku si pikë kryesore është patrullimi i përbashkët i akseve rrugore kryesore, grupet e patrullimit tashmë kanë nisur punën. Forcat e policive respektive i gjen në çdo segment të rrugës Morin-Kukës-Kalimash dhe anasjelltas. Patrullat e Policisë së Kosovës ndjekin hap pas hapi turistët nga Kosova dhe përshkues të tjerë të këtij aksi, me qëllim që të respektohen në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit, si dhe të rritet siguria rrugore. Në këto segmente të autostradës, javët e fundit ka pasur shumë aksidente ku janë lënduar më shumë se 10 persona. Në segmentet rrugore Morin-Kukës-Kalimash etj., shërbimet e policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do jenë të pranishme 24 orë në 24, duke punuar me turne, siç është rënë dakord në marrëveshje dhe shpenzimet do t’i mbulojë pala e Shqipërisë.
#