Le Guen: Mund të ketë ndryshime në ekip

Trajneri i Kamerunit, francezi Paul Le Guen ka bërë të ditur se mund të ketë edhe ndryshime në ekip në ndeshjen e dytë të botërorit për Luanët Afrikan dhe ai ka këshilluar lojtarët liderë të skaudrës që të japin më shumë në ndeshjen kundër Danimarkës. Në ndeshjen kundër Japonisë, Kameruni është dukur i shthurur taktikisht dhe lojtarët kanë hapur një debat me trajnerin e tyre Le Guen sipas të cilëve ai nuk i ka vënë lojtarët në pozicionet e duhura.
Kapiteni Samuel Eto ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të luajë sërish në krahun e djathtë pasi ai është një qëndërsulmues dhe priten ndryshime në përballjen kundër Danezëve. Francezi Le Guen kishte marrë elozhe pas kualifikimit për në Kupën e Botës dhe ka bërë të ditur se edhe lojtarët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për humbjen në ndeshjen e parë.
"Mendoj se edhe futbollistët duhet të marrin përgjegjësitë ashtu si marr edhe unë përsipër përgjegjësitë e mia pa asnjë rezervë. Unë e kam bashkuar skuadrën dhe unë jam ai që bëj taktikën, por edhe futbollistët duhet ta zbatojnë atë. Duhet të luajnë me shpirt ,për ne flitet se jemi luanët e Afrikës dhe unë shpresoj që në fushën e lojës të shoh luanë të vertete që luajnë me shpirt", është shprehur ai.