Gjermaninë e mundim duke i bërë presion
E pret dueli me Gjermaninë dhe ka dy ditë kohë për tu përgatitur. Çezare Prandeli u duartrokit në konferencën për shtyp, para se të fliste. Është i qetë, por e di që ndaj gjermanëve ka disavantazhin e dy ditëve. Gjithsesi, me zemër beson: Nuk ka skuadra të pamposhtshme. Ka ekipe të forta, por me pika të dobëta dhe ne duhet të sulmojmë…. Një premtim, që pritet të realizohet. Një Itali që po heq ngadalë-ngadalë shëmbëlltyrën e një ekipi mburojë, por që po dominon në fushë, që sulmon dhe guxon. Një skuadër e frymëzuar, e cila ia ka dalë mbanë që të jetë mes katër më të mirave të kontinentit. Kalendarin nuk e kemi vendosur ne, ndaj nuk kemi se çfarë të bëjmë. Është një handikap, ndaj të cilit nuk mund të qëndrosh indiferent. Kemi vetëm 50% kohë në dispozicion për tu përgatitur, krahasuar me kundërshtarin dhe sigurisht që kjo na penalizon. Diferenca mes nesh dhe Gjermanisë? Diferencat i bëjnë ato ekipe që luajnë me guxim. Për shumë prej lojtarëve të mi, është hera e parë që luajnë në një nivel të tillë dhe, në fakt, kanë kuptuar se kanë aftësi të jashtëzakonshme. Të kesh siguri do të thotë që të dish, ndërsa padituria do të thotë të kesh frikë. Ata kanë një organizator modern, i cili lëviz në të gjithë fushën, siç është Mesut Ozil. Kanë futbollistë me një përgatitje të lartë fizike dhe kanë fituar 15 ndeshje radhazi. Por, ne kemi më shumë ide dhe mund ti vëmë në vështirësi në aspektin taktik. Jemi përmirësuar shumë, por edhe ata gjithashtu. Madje, mund të kenë edhe disa vite avantazh. Ata kanë 17 zyra për talentet, ndërsa ne kemi vetëm 1. Pra, diçka më shumë se ne e kanë bërë. Gjithsesi, në një ndeshje të një rëndësie të tillë, luhet me zemër mbi të gjitha dhe me gjakftohtësi, ka pohuar dje Prandeli.
Italia shkon në vend të shenjtë
Duket se tashmë është shndërruar në një traditë për skuadrën e trajnerit Prandeli. Pasi mbërritën në Krakovë, dje në orët e para të mëngjesit, tekniku i përfaqësueses italiane ka preferuar të shkojë në një vend të shenjtë. Zgjodhi pikërisht manastirin e Kamoldolesit, 21 kilometra larg hotelit ku po qëndron skuadra. Të njëjtën gjë e bënë edhe pas fitores ndaj Irlandës, por në një vend tjetër të shenjtë. Veçse këtë herë ishin më pak persona që ndoqën Prandelin, edhe për shkak se ishte një vendim i paprogramuar. I pyetur herën e parë për një vendim të tillë, ai u përgjigj: Shpresoj që ta bëj edhe pas finales së Europianit.