Ndryshon kampionati, Superiore me 12 ekipe
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare vendos ndryshimin e formatit.
Këtë sezon bien direkt katër skuadra dhe ngjiten vetëm dy.
Ndryshon përsëri skema e kampionatit shqiptar. Në mbledhjen e djeshme Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë vendimin që për sezonin 2012-2013 të bien direkt nga kategoria katër skuadra dhe të ngjiten vetëm dy të tilla. Sipas këtij ndryshimi, në sezonin 2013-2014 Superiorja do të bëhet sërish me 12 skuadra, sikundër ishte deri para dy vitesh. Kështu kthehemi sërish te kampionati me tri faza dhe me dy skuadra më pak, por me ndryshimin se në këto edicione nuk do të ketë ndeshje play-off dhe play-out, të cilat u jepnin një shans të fundit ekipeve që binin nga kategoria, por edhe atyre që ngjiteshin. Ndryshimet nuk ndalen me kaq: edhe për edicionin 2013-2014 do kemi të njëjtën strukturë si për sa u përket skuadrave që do bien direkt, edhe atyre që do ngjiten. Pra, edhe për 2013-2014 do të bien direkt nga Superiorja ekipet e renditura në vendet 11, 12, 13 dhe 14 dhe do të ngjiten dy skuadrat e vendeve të para nga Kategoria e Parë. Kjo, pasi Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që për sezonin 2014-2015 Superiorja të kthehet sërish me 10 skuadra. Sakaq, këtu mbetet për tu përcaktuar ende se me sa faza do të zhvillohet ky edicion pasi, aktualisht, është hedhur ideja e vazhdimit me tri faza, disi e palogjikshme, duke qenë se do të luheshin vetëm 27 javë kampionat. Gjithsesi, kjo është ende për tu verifikuar. Ndryshimet natyrisht prekin edhe Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Kështu, edicioni 2013-2014 i Kategorisë së Parë do të zhvillohet siç është aktualisht me 16 skuadra dhe në fund të kampionatit 2012-2013, katër skuadrat e renditura në vendet 11, 12, 13 dhe 14 do të bien automatikisht në Kategorinë e Dytë. Skuadrat e renditura në vendin e parë të dy grupeve të Kategorisë së Dytë do ngjiten automatikisht në Kategorinë e Parë. Për edicionin 2014-2015, kur Superiorja do të bëhet me 10 skuadra, nuk është marrë ende një vendim nëse do të ndryshojë edhe Kategoria e Parë, apo jo.
Vendimet e plota të KE
1. Skemat e kampionateve për sezonin 2013-2014
- Kategoria Superiore: edicioni 2013-2014 do të zhvillohet me 12 skuadra.
- Kategoria e Parë: edicioni 2013-2014 do zhvillohet siç është aktualisht, me 16 skuadra.
- Në fund të edicionit 2012-2013, katër skuadrat e renditura në vendet 11, 12, 13 dhe 14 të kampionatit të Kategorisë Superiore bien automatikisht në Kategorinë e Parë. Skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të 2-të të Kategorisë së Parë ngjiten automatikisht në Kategorinë Superiore.
- Në fund të edicionit 2013-2014, 4 skuadrat e renditura në vendet 11, 12, 13 dhe 14 të kampionatit të Kategorisë Superiore bien automatikisht në Kategorinë e Parë. Kështu, edicioni 2014-2015 do të zhvillohet me 10 skuadra.
- Në fund të edicionit 2012-2013, katër skuadrat e renditura në vendet 11, 12, 13 dhe 14 të kampionatit të Kategorisë së Parë bien automatikisht në Kategorinë e Dytë. Skuadrat e renditura në vendin e parë të dy grupeve të Kategorisë së Dytë ngjiten automatikisht në Kategorinë e Parë.
- Edicioni 2012-2013 nuk do të ketë ndeshje play-off apo play-out.
2. Skema e Kupës së Shqipërisë
Në ndryshim nga skema e edicionit që sapo përfundoi, edicioni 2012-2013 i Kupës së Shqipërisë do të sjellë vetëm një ndryshim, i cili konsiston në eliminimin direkt me ndeshje vajtje-ardhje në 1/16 finale dhe jo me ndarje në 4 grupe me nga 4 skuadra. Tetë skuadrat që dalin nga ndeshjet 1/16, do të ndahen në 2 grupe me nga 4 skuadra. Ndeshjet gjysmëfinale do të hidhen me short, pas ndeshjeve në grupe.
3. Disa ndryshime në rregulloret e aktiviteteve
- Ndryshime në skemat e mësipërme do të reflektohen në rregulloret përkatëse. Data dhe vendi i ndeshjes së Superkupës së Shqipërisë për edicionin 2012-2013 do vendoset nga KE-ja në një mbledhje tjetër.
- Numri i lojtarëve të huaj që mund të luajnë në fushën e lojës nuk mund të jetë më i madh se 5 për skuadrat e Kategorisë Superiore dhe të së Parës.
- Në kampionatin e Kategorisë së Dytë do lejohen të luajnë në fushën e lojës jo më shumë se 5 lojtarë të huaj apo vendës që nuk banojnë në qarkun administrativ, të cilit skuadra i takon.
Lojtarët e tjerë vendës mund të luajnë në ekipet e Kategorisë së Dytë, vetëm nëse kanë banuar jo më pak se 1 vit në qarkun administrativ, të cilit i takon skuadra.
- Në kampionatin e Futsal nuk do të lejohen të federohen më shumë se katër lojtarë të huaj dhe vetëm dy prej tyre mund të jenë në fushë në të njëjtën kohë.
4. Data e fillimit të veprimtarive
- Kategoria Superiore nis fazën e parë më 25 gusht 2012 dhe mbaron më 1 dhjetor 2012. Faza e dytë e kësaj kategorie fillon më 9 shkurt 2013 dhe përfundon më 11 maj 2013.
- Data e fillimit të kampionatit të Kategorisë së Parë është më 1 shtator 2012 dhe përfundon më 8 dhjetor 2012. Faza e dytë starton më 9 shkurt 2013 dhe mbaron më 11 maj 2013.
LEONARD KARAJ