Flamurtari, zyrtarizohet Memelli, firmos dy vite
Flamurtari finalizon blerjen më të fundit të meraktos së verës. Migen Memelli ka firmosur kontratën dyvjeçare me Flamurtarin, pasi ra dakord për çdo detaj edhe me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, dhe njëkohësisht president i klubit, Shpëtim Gjika. Rikthimi i Memellit te Flamurtari shikohet si një përforcim i sulmit, duke e bërë këtë skuadër edhe më të frikshme për kampionatin. Pas nënshkrimit, Shpëtim Gjika shprehet i lumtur për arritjen e akordit. Madje, Gjika rikonfirmon edhe kroatin Pejiç te Flamurtari, teksa shprehet se do të jetë një dyshe fantastike. Jam i gëzuar sot që më në fund Memelli bëhet pjesë e Flamurtarit. Unë mund të them me plot gojën se ekzistonte një dëshirë e të dyja palëve që Memelli të jepte kontributin e tij te Flamurtari. Mendoj se në sulm do të kemi një dyshe fantastike, Pejic-Memelli dhe besoj se të dy do të arrijnë më së miri të realizojnë detyrat e tyre, nuk kam pikë dyshimi. Ndërsa në një komunikim, pas nënshkrimit të kontratës, Memelli bëri me dije se do të bëjë gjithçka që Flamurtari të arrijë aty ku i takon. Do të jap kontributin tim te Flamurtari, ashtu si kam bërë edhe më parë. Flamurtari është një ekip pretendent, duhet të ngrihet aty ku i takon, do të bëj maksimumin, jam i njohur me ekipin dhe në Vlorë nuk kam asnjë të panjohur.
Ariel Shtini
Ariel Shtini ka firmosur dje në mesdite me skuadrën moldave FC Milsami. Kontrata është 2-vjeçare dhe futbollisti ka një klauzolë në një shumë të caktuar për të prishur kontratën, në rast të shitjes së tij pas një sezoni në dispozicion të FC Milsamit. Stafi moldav e ka mirëpritur lojtarin shqiptar, i cili ka firmosur direkt pa kryer provë. Ndërsa është hedhur firma, tashmë priten vizitat mjekësore që janë një formalitet dhe do të zhvillohen në Kisinau. Vetë Shtini, në lidhje me këtë tha: Ndihem i lumtur, pasi këtu të gjithë më kanë pritur mjaft mirë. Firmosa me këtë ekip, sepse do të më shërbejë si trampolinë.