Spanja, ekspertja e gjysmëfinaleve
Spanja vazhdon të jetë në ndjekje të rekordeve historike, për të qenë e para kombëtare futbollistike që arrin të fitojë 3 turne ndërkombëtarë radhazi; pas Europianit 2008, Botërorit 2010, tani ata kërkojnë edhe Euro 2012-n. Dhe nëse shohim statistikat e të kaluarës, grupi i drejtuar nga Visente del Boske i ka të gjitha armët e nevojshme për ta bërë këtë gjë. Nëse çerekfinalet e Europianëve apo Botërorëve kanë qenë shpesh një mallkim për Furitë e kuqe, këta të fundit janë ekspertë të gjysmëfinaleve; në katër të tilla të luajtura i kanë fituar të katërta. Të mërkurën kundër Portugalisë, Spanja do të luajë gjysmëfinalen e pestë, e katërta në një Europian (dhe një tjetër e ka luajtur në Botëror, në 2010-n kundër Gjermanisë). Për më shumë, ndeshja kundër Francës dhuron një tjetër fakt për historinë; Spanja nuk pëson gol në fazën finale të një kompeticioni ndërkombëtar, që nga humbja me Francën në shifrat 3-1, takim i vlefshëm për 1/8-at e Botërorit gjerman në vitin 2006. Që nga ky takim i fazës me eliminim direkt, mbrojtja spanjolle dhe Kasijas ka treguar një pathyeshmëri deri në çerekfinalen e fituar dy ditë më parë kundër Francës, me rezultatin 1-0. Mbrojtja iberikase dhe portieri Kasijas kanë qenë perfektë, duke filluar që nga Europiani 2008, ku barazuan 0-0 me Italinë në çerekfinale.
Portugalia, Ronaldo përçan spanjollët
Ronaldo ka nisur që tani të shqetësojë grumbullimin spanjoll, sepse Furitë e kuqe janë përçarë në lidhje me cilësitë e Ronaldos. Grupi madrilen është i bindur se CR7 përbën një kërcënim serioz për gjysmëfinalen, ndërsa katalanasit e injorojnë atë dhe i tremben më shumë pjesës tjetër të ekipit. Për të qenë më të mirët duhet të mundim kombëtaren në të cilën luan futbollisti më i mirë i momentit. Personalisht Ronaldon e njoh mirë dhe jo vetëm unë, por të gjithë e dimë se çfarë di të bëjë. Prandaj, kundrejt tij duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, thekson portieri i Spanjës, Iker Kasijas. Ndërkohë, edhe Serxho Ramos i trembet: Te Reali jam i lumtur që e kam shok skuadre një si Ronaldo, por këtë herë më duhet të jap më të mirën time për ta ndaluar atë. Nga ana tjetër, Xherard Pike e ka mundur disa herë me Barcelonën dhe beson se do ta mundë sërish: Edhe kur jemi përballur me Realin në kampionat, kurrë nuk e kemi përqendruar strategjinë tonë te bllokimi i Ronaldos. Ne kemi lojën tonë dhe nuk do ndryshojmë asgjë, sepse i vetëm Ronaldo nuk mund të bëjë asgjë, as që ia kam frikën. Edhe Serxho Buskets e injoron Kristianon. Ai është një futbollist i madh, por kjo nuk do të thotë që na frikëson. Duke parë atë çfarë është në gjendje të bëjë kjo Spanjë, duhet të jetë Ronaldo i frikësuar.