Gogla pa peshë për Tiranën në Europë
Kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, do të luajë ndaj hungarezëve të Debrecenit në turin e dytë pre-eliminator të Kupës së Kampioneve. Për sa i përket Ligës së Europës, Tirana ka peshkuar modestët e Grevenmasher të Luksemburgut, pa asnjë titull të fituar në historinë e tyre si klub, Flamurtari do përballet me një tjetër skuadër hungareze: Budapest Honved dhe Teuta e Durrësit do të luajë kundër gjeorgjianëve të Metalurg Rustavi. Ky është shorti i dalë nga goglat e përziera dje në Nion të Zvicrës për Champions League dhe për Europa League. Debreçeni, kundërshtari i Skënderbeut, është një pengesë e vështirë për korçarët. Klubi është një nga më të vjetërit në Hungari, pasi është krijuar që në vitin 1902. Po ashtu, është skuadra më e suksesshme hungareze në dekadën e fundit. Që nga viti 2000, ai e ka fituar plot 6 herë kampionatin, në vitet 2005, 2006, 2007, 2009, 2010 dhe tani, në 2012-n, me 8 pikë diferencë nga vendi i dytë, Videoton. Arritja më e madhe e kësaj skuadre ka qenë në sezonin 2009-2010, kur u kualifikua për në grupet e Ligës së Kampioneve. Rivali i Tiranës, CS Grevenmasher, është një klub i krijuar në vitin 1909, por vetëm pas viteve 1990 ka arritur të bëhet një nga skuadrat kryesore të Luksemburgut. Kundërshtari i bardhebluve e ka fituar vetëm një herë titullin, në sezonin 2002-2003, ndërsa shtatë herë është renditur në vend të dytë, si nënkampione e Luksemburgut. Budapest Honved, me të cilin do përballet Flamurtari, është skuadra e yllit më të madh hungarez dhe njërit prej futbollistëve më të njohur në botë, Ferenc Pushkas. Honvéd ka fituar Kupën e Hungarisë në vitet 2007 dhe 2009. Në total ka 13 kampionate dhe 7 kupa të fituara. Sakaq, pa shumë histori, është edhe kundërshtari i Teutës, FC Metalurgi Rustavi. Klubi në fjalë është krijuar në vitin 1948 dhe ka garuar në Kategorinë e Parë në Gjeorgji deri në fillim të viteve 2000. Ka fituar dy herë titullin në Gjeorgji, ndërsa ka në palmarësin e vet edhe një superkupë.
Datat e ndeshjeve
Ndeshjet e para të Champions League luhen
më 17-18 korrik, ku Skënderbeu do ti presë fillimisht
në shtëpi hungarezët e Debrecenit, ndërsa ato të kthimit më 24-25 korrik.Sa u përket ndeshjeve të Europa League, të parat luhen më 5 korrik, ndërsa ato të kthimit më 12 korrik.
Eto në Vlorë, nëse Flamurtari kalon
Nëse vlonjatët arrijnë të kalojnë turin e parë, do të luajnë ndaj skuadrës ruse të Anzhit, ku aktivizohet Samuel Eto. Sulmuesi kamerunas është aktualisht lojtari më i paguar në botë, pasi përfiton 20 milionë euro në sezon. Futbollisti la Interin sezonin e kaluar për të kaluar në Rusi, pas një oferte të parezistueshme. Skuadra është krijuar në vitin 1991, por falë presidentit miliarder, Sulejman Kerimov, kanë afruar shumë emra të njohur në ekip. Përveç Etosë, aty luan edhe rusi Juri Zhirkov, trajner është Gus Hidink, ndërsa drejtor teknik Roberto Karlos.