Gjest i vonuar
Megjithëse u konsiderua si akt historik, shtrëngimi i duarve mes Boris Tadicit dhe Kryeministrit Hashim Thaçi në Dubrovnik, konsiderohet si i vonshëm.
Zëvendëskancelari dhe Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger ka vlerësuar se nga ana serbe është pak vonë për takimin simbolik të ish-Presidentit serb, Boris Tadic dhe Kryeministrit Thaçi, edhe pse gjithmonë është gjest i mirë nëse liderët ulen në tavolinë për të zgjidhur problemet.
Sipas Spindeleggerit, Presidenti aktual serb, Tomislav Nikolic duhet të gjejë gjestin e duhur për të treguar se është i vetëdijshëm për të kaluarën.
"Nga ana serbe, është paksa vonë për takimin simbolik të Tadiçit dhe Thaçit, por është mirë kur liderët ulen në një tavolinë për të biseduar për ardhmërinë e vendeve të veta. Serbia duhet të pranojë çka ka ndodhur në të kaluarën, ndërsa i takon presidentit që të gjejë masën adekuate si ta bëjë këtë. Duhet të gjendet gjesti me të cilin do të tregohet se është i vetëdijshëm për këtë”, ka thënë Ministri i Jashtëm austriak.
Ky akt mes dy liderëve politikë u prit me reagime të ndryshme si në Beograd, por edhe në Prishtinë.
Mandatari për formimin e Qeverisë në Beograd, Ivica Dacic ka thënë se Tadic duhet të shpjegojë gjestin e tij, pasi që, sipas tij, kjo përbën një enigmë, e cila duhet t’i shpjegohet popullit serb. Sipas Dacicit, me këtë gjest, Tadic ka legjitimuar Kryeministrin Thaçi.
Mirëpo vetë Tadic ka thënë se dorështrëngimi me Thaçin në Dubrovnik ka një “dimension simbolik” dhe se si gjesti, por edhe pjesëmarrja e tij në forum, nuk ka shkelur asnjë akt politik shtetëror.
“Ky është një moment që ka dimension simbolik, nuk duhet as nënvlerësuar, por as nuk është akt aq i madh me pasoja të mëdha. Është shumë me rëndësi që të zhvillohen bisedime dhe të gjendet zgjidhja për Kosovën”, ka thënë Tadic.
Ndryshe, mediat kroate kanë raportuar se shtrëngimi i duarve mes Tadicit dhe Thaçit ka qenë rezultat i presionit të fuqishëm të amerikanëve.
Vecernje List, një e përditshme kroate ka shkruar se dy liderët u takuan shkurt “nën buzëqeshjet e tharta, dhe atë në fund të Samitit”.
"Ish-Presidenti serb vazhdimisht kishte shmangur takimet me Kryeministrin e Kosovës në ngjarje të tilla diplomatike, por me ndikimin e diplomacisë amerikan të shtunën ndodhi takimi në Dubrovnik", ka shkruar gazeta.
Takimi mes dy liderëve në Dubrovnik mund të interpretohet edhe si paraprirje për një takim të mundshëm në nivel kryeministrash, ose presidentësh.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tashmë ka shprehur vullnetin që të takohet me Presidentin serb, Tomislav Nikolic.
“Mund të flasim vetëm si liderë legjitimë dhe legalë të shteteve tona, duke shprehur vullnetin e qytetarëve tanë. Dhe, përmes këtij dialogu të gjenden zgjidhje të qëndrueshme që nënkuptojnë paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë”, ka thënë Jahjaga.