E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jovanoviq: Takimi me Thaçin, hap i vonuar

Kryetari i Partisë Liberale Demokratike (LDP), Çedomir Jovanoviq ka vlerësuar se për rajonin, Beogradin e Prishtinën është i rëndësishëm çdo gjest i cili i relakson raportet. Në këtë kontekst, sipas tij, duhet shikuar edhe takimin Thaçi-Tadiq, “por edhe duhet pranuar se fjala është për aktin e vonuar i cili do të kishte rëndësi shumë më të madhe për të ardhmen e raporteve serbo-shqiptare sikur të kishte ndodhur para disa vitesh”.

Jovanoviq ka vlerësuar se në atë mënyrë është dashur reaguar me kohë, në verën e vitit të kaluar kur në vend të dialogut racional, është përzgjedhur rruga e bllokadave, konfrontimeve dhe i frikës së përditshme nga përleshjet, raportojnë mediat serbe.

Ai konsideron se duhet hapur horizonte të reja politike dhe kjo është përgjegjësi e autoriteteve në Beograd e Prishtinë, por edhe e të gjithë politikanëve dhe politikave. “Është e domosdoshme të ndryshohet politika që të mund të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura të cilat e ngarkojnë të ardhmen politike, ekonomike e të sigurisë dhe t’i kthehemi përmbushjes sa më të shpejt të kushteve për pranim në anëtarësinë e barabartë në BE”.

Jovanoviq thotë se partia e tij me vite të tëra ka vu në dukje politikën fatale që është zhvilluar (ndaj Kosovës) dhe ka propozuar dialog racional, i cili do të mundësonte jetë normale edhe serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

”Mirëpo, politikanët që e kanë drejtuar Serbinë i kanë injoruar propozimet qëllimmira që ua kemi dërguar dhe me politikën e papërgjegjshme edhe më tutje e kanë konfrontuar vendin me botën moderne”, ka theksuar Jovanoviq, transmeton RTK.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›