E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjesti i Topit dhe historia e keqe e raporteve të Berishës me shtypin

Nga Faktori Plus

Ndërkohë që presidenti, Bamir Topi, dekoroi dy botues të medias shqiptare kritike me qeverinë Berisha, shumë vetë e shohin këtë si një përpjekje për të bërë diferencën mes tij dhe kryeministrit Berisha për raportet me medien.

Historia e raporteve të kryeministrit, Sali Berisha, me medien shqiptare ka njohur disa periudha të vështira. Në kohën kur Berisha ishte president, përplasjet e tij të para me medien nisin pas miratimit të ligjit të shtypit në vjeshtën e vitit 1993. Situata u ashpërsua ndjeshëm, pasi ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, paditi drejtuesit e gazetës “Koha Jonë”, Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, për nxjerrje të sekretit shtetëror. Gazeta kishte publikuar një lajm mbi lëvizjen e tankeve drejt veriut dhe kjo ishte konsideruar nxjerrje e sekretit. Frangaj dhe Leka u burgosën dhe u liruan pas më shumë se 40 ditësh.

Reagimi ndërkombëtar ishte i ashpër, por kjo nuk e përmirësoi aspak klimën e qeverisë me medien. Në vitin 1995, Berisha nisi një fushatë kundër “Gazetës

Shqiptare”. Gazeta e partisë në pushtet e akuzoi atë për lidhje të vjetra me fashizmin dhe lidhje të reja me trafikantët dhe mafien e jugut të Italisë. Botuesi i saj, Carlo Bollino, u shpall person non grata dhe u largua nga Shqipëria, ndërkohë që u bë një përpjekje që gazeta të vihej nën kontroll të qeverisë. Përpjekja dështoi, por beteja e tij me medien vazhdoi.

Më 28 maj të vitit 1996, ndërkohë që opozita protestoi në sheshin “Skënderbej”, shumë gazetarë dhe reporterë të huaj u rrahën dhe plagosën. Sulmet ndaj medias u thelluan sidomos në fillim të vitit 1997. Bodyguard-ë të ish-presidentit Berisha qëlluan në hotel “Rogner” botuesin e gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, dhe rrahën gazetarë të tjerë

dhe bashkëpunëtorë të gazetës “Koha Jonë”, si Andi Bushati, Preç Zogaj, Armand Shkullaku etj.

Kulmi arriti javën e parë të muajit mars, kur u dogj gjatë natës redaksia e gazetës “Koha Jonë”. Redaksia u shkrumbua tërësisht dhe një gazetar i gjendur aty u rrah, derisa kaloi në depresion. Me vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, shtypi u mbyll për më shumë se një muaj. Në maj të vitit 1997, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, organizata më prestigjioze e lirisë së medias në botë, e klasifikoi Sali Berishën si një nga dhjetë armiqtë më të mëdhenj të medias në botë: http://cpj.org/reports/1998/05/enemies97.php

Berisha u përfshi në një listë dhe në një start lirie me Fidel Kastron, presidentin kinez, Jiang Zemin, gjeneralin nigerian, Sani Abacha, presidentin bjellorus Llukashenko etj., figura të botës komuniste dhe diktatoriale.

Pas kalimit në opozitë, raportet e Berishës me medien vazhduan zigzaget e tyre, por polemikat rreth tyre ishin më të zbehta për shkak të mungesës së pushtetit. Ai aplikoi disa herë bojkot ndaj TV “Klan” dhe “News 24”, për shkak të asaj që ai e quante denigrim të figurës së tij përmes lajmeve të pasakta. Më gjatë beteja vazhdoi ndaj TV “Klan”-it, pasi ky stacion transmetoi një lajm, sipas të cilit një bodyguard i Berishës kishte marrë pjesë në një përpjekje me armë në Vlorë me Zani Çaushin. Më vonë marrëdhëniet e tij me TV “Klan” mbetën të ngrira, për shkak të botimit në revistën “Klan” të dosjes së Azem Hajdarit, në të cilën përfshihej dëshmia që Berisha i kishte dhënë një diplomati amerikan në Tiranë. Marrëdhëniet vazhduan të mbeten të këqija, sidomos pas arrestimit të Berishës në nëntor të vitit 2000, ku drejtuesi i TV “Klan”, Aleksandër Frangaj, në atë kohë shumë i afërt me kryeministrin, Ilir Meta, vetë-lavdërohej se kishte rol personal në atë arrestim.

Situata u duk se u normalizua pas vitit 2001 dhe raportet e tij me medien nisën të përmirësohen. Arroganca e kryeministrit të ri, Fatos Nano, ndaj disa medieve bëri që ato të shikonin mundësinë e përdorimit të opozitës si një mënyrë për t’u mbrojtur.

Me disa fërkime të vogla, problemet e medias me politikën njohën zbutje.

Me ardhjen në pushtet të PD në vitin 2005, Berisha nuk shfaqi shenja kontrolli mbi medien.

Përkundrazi, ai la në heshtje çështjen e RTVSH dhe u lidh më shumë me televizione private. TV “Klan” ishte sërish i gatshëm. Disa arritje të dukshme të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe përpjekjet për të reformuar sistemin fiskal u përshëndetën nga media dhe klima dukej paqësore. Media, e cila në shumicë drejtohet nga biznesmenë, bëri kujdes të mos ishte agresive dhe të shkonte në një vijë me politikën e qeverisë.

Por në shënjestër u vu “Top Channel”. Në vitin 2006, në adresë të stacionit dhe kompanive të tjera të pronarit të saj shkuan gjoba financiare që kapnin në total shirën rreth 20 milionë dollarë. Kjo shifër marramendëse mjafton për të falimentuar çdo kompani.

Gjobat nuk u prenë kurrë, por vetëm u deklaruan, dhe “Top Channel” u detyrua të mbrohet politikisht përmes protestave publike dhe debateve politike. Pas kësaj, mbërriti urdhri që ky stacion duhet të lëshonte godinën. Qeveria e justifikoi këtë me një projekt që

sajoi urgjent për rikonstruksion të godinës.

Por situata nisi të ashpërsohej pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, kur Berisha filloi revanshin për të marrë nën kontroll gjithë institucionet. Pas marrjes në kontroll të RTVSH dhe më pas me zgjedhjen e presidentit dhe kryeprokurores së re, Berisha u bë arrogant dhe nisi të bëjë diferenca mes medias kritike dhe asaj konformiste.

Kështu, ai nisi sulme verbale ndaj gazetarëve të njohur që ishin kritikë me të.

Situata u acarua ndjeshëm pas ngjarjes së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

Berisha sulmoi gazetarët e njohur që denoncuan ngjarjen si krim shtetëror dhe akuzuan djalin e kryeministrit Berisha si lobist të kësaj kontrate vdekjeprurëse. Berisha bëri sulme publike ndaj Andi Bushatit dhe Mero Bazes, të cilët u morën me këtë

çështje. Më tej ai e cilësoi gazetën “New York Times” një letër higjienike, dhe vazhdoi sulmet verbale ndaj medias kritike me të.

Vdekja e pronarit të “Top Channel”-it, Dritan Hoxha, shërbeu sërish si një arsye për luftë ndaj medies. Berisha akuzoi medien se kishte fshehur vdekjen e një vajze që shoqëronte në makinë Dritan Hoxhën. Në fakt, media e kishte cituar vdekjen e saj, por pa i

kushtuar shumë vëmendje.

121 gazetarë të medias shqiptare të gjithë organizatave reaguan ashpër ndaj Berishës duke e akuzuar atë se po përdor vdekjen e një kundërshtari të tij për të denigruar atë dhe viktimën tjetër. Sulmi frontal i gazetarëve ndaj Berishës e detyroi të

tërhiqej nga sulmet.

Ai tentoi ta kalonte me humor sulmin duke ftuar gazetarët t’i jepnin dhe atij peticionin ta firmoste.

Por, me gjithë tërheqjen publike ai nuk hoqi dorë nga beteja me medien. Nën këshillat e grupit mediatik afër tij ai nisi një fushatë të paprecedent reklamash shtetërore, në televizionet që ai i quan kombëtare, ku me paratë e taksapaguesve shqiptarë deklarohen

arritje që s’janë parë askund dhe shifra që nuk ekzistojnë. Gënjeshtrat publike me paratë e shqiptarëve vazhduan gjatë. Organizata G99 reagoi përmes një spoti kundër kësaj fushate. Stacioni “News 24” dhe “Vizion Plus”, që e transmetuan apo tentuan ta transmetojnë, u gjobitën me 8 milionë lekë të vjetra. Fushata e shfrenuar e spoteve vazhdoi, megjithëse spoti antikorrupsion ishte i vjedhur

në tekst dhe dizajn nga një spot që kishte fituar çmim ndërkombëtar.

Beteja e Berishës me median kritike vazhdoi më tej me gazetën “TemA”. Pas disa gjobave dhe kontrolleve financiare nga të gjitha llojet e policive të shtetit, në fund të muajit dhjetor, fare papritur Ministria e Ekonomisë njofton gazetën për ndërprerjen e kontratës së investimeve 20-vjeçare, e cila kishte vetëm një vit që ishte nënshkruar pas një ankandi publik. Justifikimi qesharak ishte se redaksia rrezikonte sigurinë kombëtare dhe duhej të largohej andej në emër të interesit publik. Redaksia kërkoi

kohë dhe marrëveshje për largimin për interes publik. Ministria e Ekonomisë nuk iu përgjigj kërkesës së saj. Gjykata e Tiranë vendosi më 6 janar të pezullohej çdo akt që cenonte kontratën dhe punën normale. Por, pa e pyetur fare atë, më 8 janar policia rrethoi gazetën dhe nuk lejoi gazetarët të hynin brenda. Prej asaj dite policia mban peng gjithë kompjuterët e redaksisë, gjithë dokumentacionin financiar dhe juridik të

saj, sendet personale të gazetarëve dhe shtypshkronjën e shoqërisë “Mediasoft”, duke

shkaktuar dëme të pallogaritshme financiare dhe duke futur në kolaps shoqërinë.

Shoqëria ka deklaruar bllokimin e veprimtarisë së saj financiare pranë organeve tatimore, ndërsa gazeta “TemA” botohet në ilegalitet, pa zyrë dhe adresë fikse, me gazetarë që punojnë online.

Ndaj kësaj situate kanë reaguar gjithë organizatat më prestigjioze në botë, si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Amnesty International, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit etj.

http://cpj.org/2009/01/police-block-neëspaper-staff-from-entering-its-off.php

http://www.freemedia.at/cms/ipi/statements_detail.html?ctxid=CH0055&docid=CMS1232472684899

Këto sulme për bllokimin fizik të gazetës pasuan disa sulme fizike dhe psikologjike mbi drejtuesin e gazetës. Duke u gdhirë 31 dhjetori makina e tij, një BMW e re, u dogj para shtëpisë së tij dhe policia nën ndikimin e drejtpërdrejtë të zëdhënësit të Berishës deklaroi se kishte marrë flak nga një shkëndijë elektrike. Prokuroria nuk e pranoi këtë ekspertizë dhe ka nisur hetimet, ndërsa qeveria zyrtarisht nuk ka bërë deklaratë mbi këtë akt dhune mbi gazetarin dhe pronën e tij. Kryeministri Berisha, në vend të ngushëllimeve, e akuzoi atë ditë përmes zëdhënësit të vet si gazetar të shitur tek opozita dhe e krahasoi rastin e tij me Kosta Trebickën.

Kjo histori e rëndë e raporteve të Berishës me shtypin po vazhdon të tërheqë vëmendjen e organizatave ndërkombëtare, mes të cilave dhe Transparency International, e cila po heton rastin në imtësi. Gjesti i presidentit, Bamir Topi, për dekorimin e dy gazetarëve kritikë me qeverinë Berisha, duket se është më shumë një gjest simbolik, i cili synon të bëjë diferencën mes tij dhe zotit Berisha, diferencë e cila në njëfarë mënyre shpëton dinjitetin e shtetit shqiptar përballë një histerie të tillë të kryeministrit kundër medias kritike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›