E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi i pronave, qeveria bën kokë turku kreun e AKKP Tunxh Vatnikajn

Nga Armand Maho

Është shkarkuar dje me vendim qeverie Drejtori i Përgjithshëm i AKKP, Tunxh Vatnikaj, vetëm pas dhjetë muajsh që ishte emëruar në krye të këtij institucioni. Në më pak se katër vite të qeverisjes së saj, ky është drejtori i katërt së bashku me ish-kreun e kësaj agjencie që shkarkohet nga detyra. Duket se dështimin e qeverisë me kthimin dhe kompensimin e pronave, një premtim ky i pambajtur i qeverisë Berisha, po iu faturohet drejtorëve të njëpasnjëshëm të shkarkuar prej kryeministrit. Në vend të Tunxh Vatnikajt është emëruar dje Elvis Çefa, vartës i ministrit Alibeaj, në kohën që ka qenë drejtor i Antikorrupsionit, i cili, në rast se do jetë me fat, do qëndrojë deri në fund të mandatit të kësaj qeverie.

Drejtorët

Por, në të vërtetë ç’po ndodh me AKKP, një institucion i shndërruar nga qeveria aktuale, nga komitet që ishte, në agjenci për trajtimin e pronave? Duket se kryeministri Berisha dhe qeveria e tij e ka gjetur defektin te drejtorët që i merr nga gjyqësori dhe më pas i flak në rrugë sesa te mungesa e vullnetit që ai ka dhe te paaftësia e një ministri që ka në krye të drejtësisë. Kështu të paktën ka ndodhur me dy drejtorët e fundit, Besnik Mahon dhe Tunxh Vatnikaj, njëri gjykatës në Pogradec dhe tjetri gjykatës në Shkodër që u bënë viktimë e lojës së dështuar të pronave. E vetmja që mundi të sigurojë një vend pune ishte Justina Aliaj, e cila ka siguruar një vend si këshilltare ligjore në Ministrinë e Bujqësisë. Të paktën të tre drejtorët i kanë dalë kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë me propozime konkrete për mënyrën e kompensimit. I kanë kërkuar fondin fizik për kompensimet, kanë dhënë propozimet dhe më pas kanë shndërruar në realitet hartën e vlerave, kanë dalë me propozime konkrete për rrugën e zgjidhjes së këtij problemi, por nga ana e kryeministrit kanë marrë vetëm heshtje, dhe në fund shkarkim pa paralajmërim. Në fakt, e vërteta është ndryshe.

AKKP

Në rast se do flasim për institucionin e pronave dhe për mënyrën se si po punon qeveria aktuale dhe me metodat që po përdor kryeministri, atëherë mund të thuhet se ky proces nuk ka për të përfunduar kurrë. Në AKKP po ndodh ajo që ndodh rëndom në të gjitha institucionet e tyre që janë ngritur në bazë të parimeve tribale dhe të njohjeve farefisnore me kryeministrin, që kanë disa nga punonjësit brenda këtij institucioni, dhe që tagrin për t’i shkarkuar e ka vetëm kryeministri. Por drejtorët shkojnë e vijnë dhe ata mbeten përherë aty. Që kur është shndërruar në agjenci, ky institucion është tentuar të përdoret për të marrë prona dhe përfitime të padrejta nga njerëz me pushtet, dhe në çdo rast që është refuzuar nga titullarët shkelja e ligjit, janë shkarkuar pa paralajmërim. Në rastin më të fundit, paaftësia e ministrit të Drejtësisë për të çuar propozimet e AKKP në qeveri me qëllim fillimin e procesit të kompensimit u shkarkua mbi drejtorin Vatnikaj.

Shuma

Gjithsesi, pronarët e kanë të qartë se problemi nuk qëndron te drejtorët e AKKP apo te specialistët e saj, por te vullneti i qeverisë për ta zgjidhur këtë çështje. Pronat e parashikuara për fond fizik çdo ditë e më shumë po i kalojnë pushtetit vendor për t’i përvetësuar më pas nga njerëz që janë më afër pushtetit. Të gjithë e mbajnë mend me sa zjarr e kundërshtoi kryeministri shumën prej katër miliardë dollarësh të nxjerrë nga AKKP në muajin maj të vitit 2008. Megjithëse shuma ishte shumë larg asaj shume që do të duhej për kompensimin e pronave, sërish Berisha u shpreh se shuma është abuzive dhe shumë herë më e vogël. Pra, me pak fjalë, abuzimi që u bë me pronën në 45 vjet diktaturë, dhe në 18 vjet tranzicion në konceptin e kryeministrit mund të zgjidhet me një shumë, e cila mund të jetë dhe më e vogël se shuma që po përdoret për rrugën Durrës-Kukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›