E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri i mërzitur që doktori lexon “Antenën”

Nga Tema

Antena brenda familjes

Flamuri u mërzit shumë dje me mbledhjen e qeverisë. Problemi i tij filloi që në mëngjes, që kur e ndryshoi regjimin e punës. Ndryshe nga çdo mëngjes ai nuk e filloi punën duke bërë atë që duhet të bëjë çdo njeri i pushtetit. Pra, të lexojë “Antenën” te gazeta “TemA”. Ngaqë nuk e duron dot si gazetë, shoferi ia bie vetëm faqen e dytë dhe ia vë përpara, pa e kthyer nga titulli. Dje shoferi nuk ishte në mëngjes dhe Flamuri e lexoi vonë. Kjo i shkaktoi gjithë telashet. Telashi i parë ishte se firmosi dorëheqjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm i FRPD dhe emëroi në atë detyrë Qukapin. Mendoi se e mbylli me kaq. Dhe Qukapi mendoi se do kënaqej me këtë lëshim. Por nuk ishte e thënë. Kur e thirri Qukapin në drekë, ai ishte tym.

- Ty të komandon ai korrespondenti i “Antenës”? - iu turr Flamurit.

- Po pse mo mixhë më komandon? - i tha Flamuri. - Unë ka kohë që s’e qas më atë afër.

- Kështu thoni me fjalë ju, - tha, - por çfarë thotë ai, bëni. Ja, shkruante ai që do japësh dorëheqjen sot, e dhe. Shkroi që Tunxhi do japë dorëheqjen, se nuk na ka futur akoma ne shokët e Zenit te Familjet e Mëdha, e shkarkuan Tunxhin. Hajt mbyll gojët e botës tani.

- Si, e shkarkuan Tunxhin? - tha Flamuri. - Kur ndodhi?

- Ja tani, ndodhi në mbledhje të qeverisë, - ia ktheu Qukapi. - Mira ia bënë atij që e shkarkuan, se na plasi shpirtin për ca qindra hektarë tokë në Vlorë, por pse ta bënin sot. Ta bënin një ditë tjetër. Ti duhet ta informosh atë burrin, se ndoshta ai s’e ka parë “Antenën”.

- As unë s’e kam parë sot o Qukap, - i tha Flamuri. - ǒtë them unë i ziu. E paska bërë proçkën ai. Po ku e mori vesh dreqin?

- Jo mo, ai s’ka marrë vesh gjë, është tallur, por ai burri e ka marrë seriozisht. Se ai më shumë beson “Antenën” sesa shkrimet serioze. Kështu që dhe dorëheqjen tënde nuk e dua. As më hyn në punë. Ulu e shkruaj që e ke dhënë një muaj më parë, të jemi në rregull. Nuk dua dhurata nga ai i “Antenës” unë. E dua nga ty. Ndryshoje protokollin dhe thuaj që e ke dhënë dorëheqjen në dhjetor 2008.

- Mirë o mixhë, po e bëj më 2008. Se mos kemi protokoll ne dhe na u prish rendi. Njësoj është. Madje, as që e di njeri fare që jam Sekretar i Përgjithshëm i Forumit. Madje as vetë s’e dija. Se të gjithë më njohin si numri dy pas atij burrit. As që më hyn në punë kjo detyrë.

Kështu, pas kësaj debati u mbyll. Flamuri e pyeti Qukapin se ç’u vendos ndonjë gjë tjetër në mbledhje të qeverisë.

- Po mirë, - tha Qukapi. - Argita i mori ato tre hidrocentralet në Devoll. Ata austriakët janë të kënaqur nga puna dhe e kanë shpërblyer mirë. Dhe ajo e ka bërë mirë lojën, jo si Zeni, se ai nxitohet. Kjo e bën më mirë. Ja, në këtë rast nuk u bë direkt avokate e atyre, por avokate e përfaqësuesit të tyre në Shqipëri dhe e paguante ai dhe e merr tek ai pjesën. Ata formalisht marrin studio tjetër ligjore për kontratën, ndërsa lobimin dhe pagesën për procedurën konkrete e ka bërë ajo. Do marrë dhe Vjosën pas kësaj. Tha njëherë të merrte dhe shpërndarjen, por nuk kishte lezet dhe të prodhonte, dhe të shpërndante. Kështu që ia lanë atyre çekëve atë. Kështu, punët në përgjithësi janë mirë. Vetëm se duhet të nxitojmë për këto zgjedhjet. Duhet të mbyllim këtë punën e Tiranës urgjent, unë të marr Forumin Rinor, Aldo partinë, Lajlës po i japim organizatën e gruas, boll e ka. Kështu kompletohemi mirë. Dhe këta që i bëjnë lojëra atij burrit, i flakim me një të rënë të lapsit.

- Mirë o mixhë. Nga unë e ke rrugën të hapur. I kam thënë dhe atij burrit që ti e meriton. Jo se je shoku i Zenit, se për atë s’dua t’ia di fare, por je demokrat i vërtetë. ǒtë të them tjetër unë, ti e di vetë tani. Unë dorëheqjen e dhashë. Bëra gabim që s’e lexova sot gazetën, po hajt se e ndreq gabimin. Shikoje si do të të nxjerr në zgjedhje. Sa të më thotë ai burri që ti do jesh kryetar dhe 70 për qind e ke. Fusim dhe Gert Bogdanin si kandidat koti dhe i japim 30 për qind. Nuk ndihet ai po i tha ai burri. Bën çfarë t’i thuash. E ka këtë të mirë. Është i dëgjuar. Në fillim e kisha inat, se dukej si djalë me shkollë dhe tangërllëks. Por kur e pashë që iu shtrua punës, uli kokën dhe thoshte ç’i thotë ai burri në telefon, kam shumë respekt. Këta janë njerëzit që na duhen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›