E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjetan Keta, Majk Tajsoni i ri triumfon në dy raunde

Boks Promotori Ahmet Wner, bashkëpunëtori i “Don King”, vlerësime maksimale për 26-vjeçarin

Gjetan Keta kalon testin më të rëndësishëm në karrierën e tij të re si boksier profesionist. 26-vjeçari nga Bulqiza ka mposhtur në “Arenën” e Hamburgut Leonti Vorontsuk. Ish-kampionit të kick-boxing i kanë mjaftuar vetëm dy raunde për të hedhur në tapet kundërshtarin me “knock out”, pavarësisht eksperiencës së jashtëzakonshme të estonezit në ring (mbi 400 duele në ring, ku pjesa më e madhe janë mes “thai-boxing” dhe “kick-boxing”, ndërsa 64 si boksier). Keta e ka nisur menjëherë sfidën në mënyrë agresive, ndërkohë që vëllai-trajner i tij, Ismaili, e ka këshilluar gjatë gjithë kohës që të ruante qetësinë, i trembur edhe prej përvojës së Vorontsuk. Pavarësisht kësaj, boksieri e ka rrëzuar dy herë kundërshtarin e tij, pas kombinimeve të fuqishme. Duke parë forcën e madhe të shqiptarit, boksieri letonez është munduar ta provokojë me të gjitha mënyrat, por tentativat e tij kanë zgjatur pak, sepse në fundin e raundit të dytë, Keta e shembi në tapet me goditje të forta dhe Vorontsuk nuk arriti më të ngrihej. Promotori i njohur, Ahmet Wner, i cili është një prej njerëzve që beson më shumë te forca e Gjetan Ketës foli me superlativa në përfundim të sfidës. Bashkëpunëtori i promotorit të mirënjohur amerikan, “Don King”, e cilësoi djaloshin nga Bulqiza si “Majk Tajsonin” e ri. “Miqtë e mi, kjo është lindja e një tjetër Majk Tajsoni”, ishin fjalët e përdorura prej tij, duke parë boksimin e papërmbajtur dhe agresiv të Ketës.

Në ringun e Hamburgut u ngjit edhe shqiptari tjetër, Petrit Dobroshi, i cili ka regjistruar një tjetër fitore në karrierë. Të shtunën në mbrëmje, ai mposhti letonezin Arturs Kulikauskis, ndërsa kjo ishte përballja e parë e Dobroshit në një eveniment të organizuar nga promotori Wner.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›