E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet Mukaj, Tirana emëron Senglën trajner

Zyrtare Tekniku i ri, që do të drejtojë deri në fund, është i pesti për bardheblutë brenda këtij sezoni

Luan Sengla është zyrtarisht trajneri i ri i Tiranës për pjesën e mbetur të sezonit. Ky është lajmi më i fundit i mbërritur nga klubi bardheblu, i cili është përshirë në një krizë të thellë rezultatesh, që pas humbjes në derbin me kryesuesen Dinamo. Gjithçka është zyrtarizuar pasditen e djeshme në ambientet e klubit, presidenti Refik Halili ka dalë para futbollistëve për të deklaruar rokadën në radhët e stafit teknik. Kjo ka qenë një lëvizje e detyruar e drejtuesve bardhelbu, pasi pas humbjes së të dielës me Vllazninë në kryeqytet, trajneri i deritanishëm, i cili vazhdon të jetë futbollist aktiv, Devis Mukaj, do të theksonte se “nuk mundem t’i bëj të dyja detyrat, prandaj Tiranës i duhet një tjetër trajner”. Luan Sengla, ishte nëpunës i klubit bardheblu, pasi që nga largimi i Alban Tafajit, mbante postin e zëvendëstrajnerit të Tiranës, duke qenë kështu ndihmësi i trajnerit të komanduar, Devis Mukaj. Por tashmë, Sengla do të jetë tekniku zyrtar, duke pasur në dorë 100% frenat e skuadrës, e cila duket se po kalon një nga momentet e saj më të vështira ndër vite. Që nga dështimi në derbin me Dinamon, ecuria e bardhebluve ka qenë tepër negative, ku ka koleksionuar 5 humbje (dy vetëm përballë Vllaznisë dhe nga një kundër Shkumbinit, Kastriotit dhe Flamurtarit). Luan Sengla ka një histori të gjatë si zëvendëstrajner te Tirana, boll të kujtojmë se sezonin e kaluar ishte ndihmësi i Agustin Kolës në stafin teknik të Tiranës. Ish-mesfushori i njohur i Tiranës së viteve ‘80-‘90 ka qenë ndihmës i Sulejman Starovës, kur bardheblutë fituan titullin në sezonin 2004-2005. Luan Sengla ka drejtuar së fundi Olimpikun (skuadër e Kategorisë së Dytë) dhe është ndihmëstrajner te Kombëtarja U-17 e drejtuar nga Ardian Mema. Sengla njihet si një trajner me horizont të madh taktik dhe pritet të japë një ndihmë të çmuar në ringritjen e kësaj Tirane. Luan Sengla do të jetë trajneri i pestë i Tiranës për këtë edicion pas kroatit Ilija Lonçareviç, Albana Tafajt, Nevil Dedes dhe Devis Mukajt.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›