Kuzhe: Garancia ime, loja e fortë
Josip Kuzhe garanton se Shqipëria do të zhvillojë një lojë të fortë në eliminatoret e Euro 2012. Përfaqësuesja kuqezi ndodhet në Grupin D, së bashku me Francën, Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun, ndërsa objektivi është klasifikimi të paktën në vendin e katërt (vendi i tretë mbetet ëndrra në sirtar). Duke vlerësuar atmosferën e mirë që ekziston brenda skuadrës, trajneri kroat deklaroi: “Në Shqipëri mbretëron një klimë e shkëlqyer futbolli, ndërsa unë jam një trajner i disponuar për të punuar mirë. Shpresoj që klima e mirë do të ndikojë në pozitivisht në paraqitjen e Kombëtares, në mënyrë që Shqipëria të jetë sa më serioze gjatë eliminatoreve të Kampionatit Europian. Gjithsesi, nuk kemi presion për të fituar grupin, apo për t’u renditur në vendin e dytë. I kam thënë vetes: nëse mendon se je aq trajner i mirë, bëj diçka. Po e përgatis skuadrën që të luajë fortë, sepse nuk ka vlerë vetëm fakti që dëshiron të punosh mirë, apo edhe qëndrimi miqësor ndaj futbollistëve. Për mendimin tim, loja e fortë është garancia e vetme për të arritur rezultate”. Kuzhe ka analizuar edhe kundërshtarët e Shqipërisë, ku shprehu bindjen se grupi është i balancuar dhe gjithçka mund të ndodhë. “Kundërshtari më i vështirë padyshim që do të jetë Franca, një skuadër që pas Botërorit 2010 do të ndërrojë trajnerin. Megjithatë, në grupin tonë, secila skuadër mund ta mposhtë kundërshtarin që ka përballë… përveç Luksemburgut”, shtoi ai. Kualifikimet e përfaqësueses tonë në Euro 2012 nisin në Bukuresht kundër Rumanisë, ndërsa më pas vijnë përballjet me Luksemburgun dhe Bosnjën në Tiranë.
Botërori 2010Për kroaten “Jutarnji List”, drejtuesi i stolit të Shqipërisë ka analizuar edhe Kupën e Botës 2010, që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Prognoza e Josip Kuzhe ka qenë mjaft befasuese: sipas tij, Italia, nuk do të arrijë ta kalojë fazën e grupeve, ndërsa mendon se ekipet që do të luajnë në raundin do të jenë: Greqia, Anglia, Argjentina, SHBA, Holanda, Brazili, Spanja dhe Argjentina. Ai pohon se Brazili nuk do ta kalojë Holandën, të cilën e sheh si finaliste përkrah Spanjës, edhe pse shfaqet i bindur se iberikët kanë shanse të mira të jenë kampionët e rinj të botës. Kuzhe thekson se as në këtë aktivitet, Anglia nuk do të realizojë gjëra të mëdha, pasi pavarësisht se Fabio Kapelo ka ide të mira, “anglezëve u mungon kreativiteti brazilian. Kjo është arsyeja përse edhe Aleks Ferguson më së shumti blen futbollistë latinë”. Për trajnerin e Shqipërisë, ky do të jetë botërori i Lionel Mesit: “Mesi tashmë është një nga futbollistët më të mëdhenj në botën e futbollit, ndërsa do të jetë shumë i motivuar, sepse ky është Botërori i parë i tij. Ai ende nuk është si Maradona, por loja e tij është shumë e rëndësishme për Argjentinën. Ekipet, të cilat kanë pasur Drazhen Petroviçin apo Majkëll Xhordan kanë qenë dominuese dhe favorite absolute. Por, në futboll është ndryshe: luhet me 11 futbollistë, megjithatë ekipi që ka Mesin është mjaft i avantazhuar”.
#