E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjetan Keta mbron titullin e kampionit të Gjermanisë

Gjetan Keta mbron me sukses titullin e kampionit të Gjermanisë për federatën IKBF, në Thai-boxing. Pasi e fitoi këtë trofe në përballjen me rusin me pasaportë gjermane, Nikolai Mertes, 26-vjeçari nga Bulqiza u ngjit sërish në ring, këtë herë kundër kampionit të federatës MTBD, Kaj Gomolla. Fituesi i duelit me rregullat e K-1 do t‘i merrte kundërshtarit titullin respektiv që mbante, ndërkohë që ndeshja ka filluar në një atmosferë mjaft elektrizuese. Keta hyri në ring i shoqëruar nga tingujt e këngëve shqiptare, duke i entuziazmuar edhe më shumë mbështetësit e tij. Djaloshi, që në nëntor 2007 solli për herë të parë Thai & Kickboxing në Shqipëri, në një turne të organizuar nga "World Muay Thai Council", ka dominuar tri raundet e para. Madje, ai i shkaktoi kundërshtarit një dëmtim të rëndë në syrin e majtë. Por, Gomolla u konfirmua si një rival i rrezikshëm dhe në fund të raundit të tretë rrëzon në tapet Ketën. Thaiboksieri shqiptar ngrihet në këmbë, por ishte dukshëm i tronditur dhe pëson një tjetër K.O. Mbyllja e raundit i dha Ketës mundësi të rikuperohej dhe të dominonte sërish deri në fund të duelit (me shtatë raunde). Si rezultat i goditjeve të sakta, Keta u shpall fitues me pikë, duke mbrojtur titullin IKBF në Gjermani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›