E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: Aleatët në listat e PS? Nuk e përjashtoj

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri deklaroi dje se PS dhe Rama po mendojnë taktika elektorale për të mbajtur koalicionin aktual, pas mosndryshimit të sistemit zgjedhor. Por ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Topit dhe Aleancën Kuq e Zi. Gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo”, në “News 24”, Gjiknuri tha se PS është pro heqjes së imunitetit, por do të kërkojë garanci shtesë për sistemin gjyqësor dhe atë penal.
U arrit kompromisi më në fund, por a mendoni se pas këtyre zgjedhjeve nuk do kërkoni sërish ndryshimin e kodit?
Ndryshimi i kodit është dialektikë. Patjetër pas zgjedhjeve ligji testohet dhe ka nevojë për përmirësime. Kjo nuk duhet të na shqetësojë as nuk duhet të nënvleftësojë punën e reformës zgjedhore. Kjo reformë adresoi çështjet e dy palë zgjedhjeve, madje zgjedhje problematike. Një pjesë e tyre u reflektuan dhe një pjesë e mirë e rekomandimeve të ODIHR-it gjetën vend në draftin e ri të Kodit. Kuptohet që ka edhe çështje të tjera që fatkeqësisht nuk gjetën zgjidhje, sepse nuk patëm mirëkuptimin e PD-së. Secila palë ndenji në pozicionet e tyre dhe kjo bëri që disa gjëra që ne kishim kërkuar paraprakisht të mos gjenin zgjidhje.
Cilat ishin ato që ju kërkuat dhe s’u morën parasysh nga PD-ja?
Ka shumë elementë që kanë të bëjnë me rolin e shtetit. Po ka gjë të kritikuar në Shqipëri dhe që është e dukshme është që opozita konkurron me shtetin dhe jo me partinë, domethënë rolin që ka shteti në gjithë aspektin zgjedhor, që nga mënyra se si i përdor paratë për fushatën, blerja e kohës, reklamat publike, të cilat bëjnë një lloj shpëlarje të trurit të publikut dhe është një pabarazi gare që ndikon në atë që quhen zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh. U kufizua vetëm në reklamat qeveritare që për 60 ditë që nga dita e zgjedhjeve. Gjithsesi edhe ky është një përmirësim në krahasim me ç’ka qenë. Tjetër gjë ishte edhe detyrimi i zyrtarëve publikë për të dhënë dorëheqjen nga posti, para se të kandidojnë.
Çfarë është përmirësuar?
Janë përmirësuar listat e zgjedhjeve. Lista e zgjedhësve për herë të parë do të publikohet çdo muaj, jo siç ka qenë një herë në fillim dhe një herë në fund, 40 ditët e fundit siç ka qenë. Pushteti vendor do të ketë akses në regjistrin e gjendjes civile, që s’e ka pas më përpara. Opozita do të ketë një përfaqësues të atashuar pranë Ministrisë së Brendshme për të patur akses në regjistrim kombëtar të gjendjes civile. Kjo i krijon mundësinë opozitës për të patur, për të qenë bashkëmenaxhuese e atij sistemi për një periudhë 6 muaj nga data e zgjedhjeve. Gjithashtu do të disponohen të dhënat e kartave të identitetit, për të bërë pastrimin e emrave të dubluar. Duke përdorur të dhënat biometrike dhe të dhënat e kartave të identitetit ke mundësi që të eliminosh një sërë emrash të dubluar.
Është krijuar një perceptim në publik që e tha edhe ish-presidenti Meidani, duket se asgjë nuk është arritur me këto ndryshime në kod? Jemi gjithsesi në kushtet e vitit 2009.
Më vjen keq sepse janë mbi 100 nene që janë ndryshuar. Pra, nuk mund të pranoj idenë e statusquosë e vitit 2009. zoti Meidani mbase e ka pas në pikëpamjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor, gjë që mund ta trajtojmë më vonë dhe të gjithë njerëzit e lidhin kodin vetëm me sistemin zgjedhor, por kodi ka edhe pjesën e tij që ka të bëjë me menaxhimin e zgjedhjeve. Ka shumë ndryshime dhe ato janë shumë të mëdha.
Aleatëve ju premtuat se do ia kërkoni PD-së ndryshimin e sistemit?
Ja kemi kërkuar dhe të gjithë e dinë tashmë. Edhe në komision PS e ka luajtur tashmë këtë rol. Por duhet të kuptoni një gjë. Sistemi nuk ka rekomandim. Nuk kishte një rekomandim dhe një kërkesë të fortë ndërkombëtare që duhet të rishikohet sistemi. Ka një nevojë, ka një shqetësim nga partitë e vogla.
Pse nuk vutë kushte?
Sepse ky kusht, i cili nuk mbështetej as nga rekomandimet ndërkombëtare në fund të fundit do të bllokonte reformën zgjedhore. Atëherë shtrohet çështja, nga ky kusht që linte status quonë, atëherë do të ishim në kushtet e vitit 2009. Ndryshimet në gjendjen që është ligji në vitin 2009. E çfarë do të fitonim? Sistemin s’do ta fitonim sepse kryeministri Berisha e ka përmendur me qindra herë që nuk është për ndryshimin e sistemit. E dyta, ne ushtruam presionin tonë, por nuk pamë asnjë lloj presioni nga aleatët e PD-së, të cilët në një farë mënyre kishin edhe kyçin, aq më tepër të marrim LSI-në e cila ka qenë edhe pjesë e ndryshimit, pjesë e marrëveshjes me PD-në. Nuk ushtruan asnjë trysni.
Problemi më i madh mbetet te votat e aleatëve. Si Gjinushi, si Milo kanë paralajmëruar se do të krijojnë një grupim tjetër. A mendoni se kjo ju dëmton?
Me një logjikë të thjeshtë, çdo aleat i ikur është një lloj dëmi dhe nuk është një gjë e mirë. Por nga ana tjetër meqenëse e shtruat çështjen e polit dhe të koncentrimit të votës, kjo gjë mund të realizohet shumë mirë edhe brenda koalicionit dhe nga ana tjetër nuk shoh ndonjë logjikë racionale që duke dalë jashtë koalicionit me PS-në do të rriten shanset për të fituar mandate. Shanset më të mira, partitë e vogla të majta, aleatët tanë shumë të nevojshëm i kanë që brenda koalicionit të majtë të përfitojnë mandatet e tyre dhe kjo është një llogari shumë e thjeshtë që e kuptojnë të gjithë. Po të kenë mundësi që të koordinojnë votën e tyre dhe mbase kjo do të ishte një zgjidhje, një lloj antidode e sistemit i cili mbeti në fuqi dhe nuk varej vetëm nga vullneti i një partie dhe dua ta theksoj këtë, pra për të maksimizuar shanset e tyre i kanë mundësitë edhe brenda koalicionit për të përdorur taktikat e duhura elektorale në bashkëpunim me PS-në.
Cilat janë këto taktika?
Ata i dinë shumë mirë, aleatët. I kemi biseduar dhe i kanë të qarta.
Ata kanë dalë publikisht duke ju përplasur derën e duke ju thënë se do ikim, ju çfarë ju keni ofruar?
Aleatët po thonë duam të krijojmë një pol. Shumë mirë. Kjo është të maksimizojnë votën e tyre. Nuk ka asgjë të keqe këtu. E dyta maksimizimi i votës që përkthehet në mandate bëhet më mirë duke qenë brenda koalicionit të majtë. Do të thotë që po këtë votë, ky pol sikur të ishte brenda koalicionit të majtë ka dyfish shanse për të nxjerrë mandate.
LSI-ja a është e mirëpritur tek ju?
Lideri i PS-së e ka thënë që LSI është në koalicion qeverisës. Nuk mund të diskutohet kjo çështje për aq kohë sa ata janë duke milituar në krahun e PD-në. Çështja se çfarë do të bëhet më vonë mbetet në lëvizjet e para në jetëgjatësinë e kësaj qeverie, e këtij koalicioni. E dyta në momentin e duhur do të shikoni edhe aleancat e duhura. Një gjë është se ka nevojë për një bashkim të madh për të mposhtur që ne e quajmë të keqen e përbashkët, pra frenuesin e integrimit të vendit që për mua dhe për PS-në është Sali Berisha. Kjo është ai koalicioni i nevojës kundër këtij njeriu.
Zoti Rama tha se do të ndërtojmë një koalicion shumë më të gjerë se sa ekzistuesi. Me kë do ta ndërtoni këtë koalicion?
Kjo është çështje në proces. Patjetër që do ta ndërtojmë me aleatët tanë tradicionalë, por edhe me forca të tjera të cilat e shpallin veten kundër kësaj qeverie dhe që kërkojnë ndryshimin që duhet të ndodhë sa më shpejt në këtë vend. Pra është ndryshim i nevojshëm, pse mos ta quajmë një koalicion nevoje, ku nevoja më e madhe është të hapim perspektivën evropiane Shqipërisë duke hequr atë që është pengesa më e madhe, Sali Berisha.
Me çfarë do t’i tundoni këta aleatë që të pranojnë koalicionin? Do keni lista të përbashkëta. Do jenë në listat e PS-së?
Këto janë çështje për tu parë më vonë. Patjetër që ka praktika atraktive, të pranueshme për të mbajtur një koalicion të gjallë dhe efektiv.
Ekziston mundësia që zoti Gjinushi, zoti Milo etj, të jenë në listat e PS-së?
Nuk po ta mohoj as po ta pohoj. Po them këtë që ekziston mundësia që brenda këtij sistemi zgjedhor dhe duke arritur një lloj koncentrimi vote apo taktike tjetër elektorale që brenda koalicionit të maksimizohet vota.
Si do të arrihet, ndoshta duke qenë një subjekt elektoral?
Ka forma nga më të ndryshmet, qoftë edhe si subjekt elektoral, por duke ruajtur individualitetin e tyre politik, megjithatë është shpejt për të folur për të, po patjetër që kemi në mendje idenë se si do ta realizojmë këtë.
Edhe zoti Gjinushi i di edhe zoti Milo se ka rrugë për të adresuar nevojat që kemi. PS dhe zoti Rama ka filluar të mendojnë dhe ka edhe opsionin në tavolinë për të gjetur rrugët më të mira të bashkëpunimit me aleatët.
Kur zoti Rama tha se do ta zgjerojmë koalicionin, bëhet fjalë për partitë e reja që janë krijuar si ajo e zotit Topi apo e zotit Spahiu?
Zoti Topi ka një profil dukshëm të djathtë dhe nuk mendoj se do të ishte i gatshëm edhe vetë zoti Topi që të përfshihej në një koalicion me PS-në. Megjithatë unë nuk dua as të pohoj, as të mohoj,sepse nuk e përjashtoj as këtë si mundësi. Kur unë them një front i gjerë kundër PD-së, ndaj Sali Berishës, presupozoj çdo lloj force që do t’i bashkohet këtij fronti. Megjithatë ka parti të tjera që janë aktive, mund të krijohen lëvizje të tjera, formacione të tjera që patjetër meritojnë bashkëpunim.
E keni fjalën për aleancën kuq e zi?
Qoftë edhe aleanca kuq e zi, mund të ishte një mundësi. Unë nuk parashikoj, deri sa unë them një front i gjerë opozitar, parashikoj çdo lloj force ose mendoj që duhet të ishte çdo lloj force që ka një profil të qartë opozitar.
Kalojmë te çështja e imunitetit. Duket se edhe letra e zotit Ruçi nuk kanë arritur ti bindin ambasadorët...?
Përkundrazi unë them se edhe deklarimet e PS kanë qënë pro heqjes së imunitetit, kanë qenë pro variantit kushtetuese, por jemi në çështje kur palët duan të punojnë dhe do paraqesim propozimet tona në lidhje me çështjen e imunitetit.
Pse kërkoni ta shtyni në nëntor?
Nuk kërkojmë ta shtyjmë, por edhe me kohën e mbetur nëse gjendet kompromis në lidhje me propozimet e palëve, mbase deri më 6 gusht mund të arrijmë konsensus. Patjetër PS-ja kërkon disa garanci shtesë te sistemi gjyqësor dhe penal në Shqipëri dhe kjo është normale.
Mos kërkoni që Prokurori të zgjidhet me 84 vota?
Nuk do të ishte një zgjidhje e keqe. Do të ishte një zgjidhje shumë e mirë. Edhe ky mund të jetë një propozim shumë i pranueshëm.
 
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›