E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Vendorët larg ndikimeve partiake

TIRANË Në takimin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që kishte si qëllim forcimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimit të të zgjedhurve vendorë në Shqipëri, shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Etore Sequi, ka deklaruar se çështjet e përgjegjshmërisë dhe transparencës qeverisëse kanë një rëndësi të madhe për të përmbushur kriterin politik të Kopenhagenit për vendet në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ai kishte edhe një këshillë për kryetarët e sapozgjedhur vendor. “Do doja t'ju nxis ju, kryetarë të rinj të zgjedhur, të punoni së bashku me autoritetet e qeverisjes qendrore drejt përshpejtimit të reformës së decentralizimit në Shqipëri, duke përmirësuar kështu shërbimet publike për njerëzit e komuniteteve tuaja vendore”, - tha ai. Ndërsa, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ka kërkuar një qeverisje vendore larg militantizmit politik si dhe një përfshirje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje. “Ndihmoni qytetarët të përfshihen në vendimmarrje, për të ndërtuar ambient pune profesional, jepini zgjidhje vështirësive në komunitete për të ndërmjetësuar për nevojat me qeverisjen vendore dhe për të përshpejtuar bashkëpunimin pavarësisht barrierave politike në përfitim të komuniteteve tuaja... Pavarësisht ndasive politike loboni bashkë në nivelet qendrore, duke qenë konstruktivë dhe jo militantë”, - tha ambasadori i OSBE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›