E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: Të ngrihet komision hetimor për zgjedhjet

 Duke cituar raportin e radhës së Komisionit Evropian, deputeti Damian Gjiknuri, theksoi se raporti shpreh qartë se autoritet shqiptare kanë bërë një progres shumë të pakët në fushën e drejtësisë dhe në kuadrin ligjor që rregullon këtë sektor jetik për vendin.

 “Shembuj të qartë të përuljes dhe intimidimit të drejtësisë në favor të interesave të Berishës janë pushimi i çështjeve  që lidhen me skandalin e rrugës Durrës-Kukës, çështjen e Gërdecit, e pse jo edhe gjykimet  e shpejtuara të Kolegjit Zgjedhor  në favor të kërkesave të Partisë Demokratike”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

Gjiknuri shtoi se në raport përfshihen kritika serioze për buxhetin e gjyqësorit, infrastrukturën dhe përmbarimin e vendimeve gjyqësore. “Reforma e këtij të fundit ka ngrirë plotësisht,  megjithëse qeveria gati 1 vit më parë miratoi një ligj të ri për shërbimin përmbarimor privat, por që akoma edhe sot e kësaj dite ky ligj nuk ka gjetur zbatim në praktikë,  duke bërë që zbatimi i vendimeve të gjykatave të jetë në një nivel shumë të ulët”, vijoi më tej.

Në emër të Partisë Sociliaste, deputeti Gjiknuri ka kërkuar që drejtësia të përmirësohet.
“Partia Socialiste ka qenë dhe është e gatshme të jap kontributin e saj në këtë drejtim. PS kërkon gjithashtu që t’i hapet rruga  sa më parë  ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet,  me qëllim  mundësimin e kontributit të  opozitës në  kuvend,  në  mbështetje të reformave të shumëpritura në këtë sektor”, përfundon deklarata.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›